
Strehimi i familjeve te prekura nga termeti- Rama: Pas Vitit te Ri ne apartamente
Brenda 2020 duhet t’i kemi dhënë të gjithë familjeve të prekura nga tërmeti perspektivë shumë të qartë dhe të gjithë duhet të jenë të sistemuar.
Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë. “Ata që janë masa e madhe që i kanë shtëpitë të dëmtuara, por që janë shtëpi që mund të riparohen, ndërsa ata që janë pjesë e programit të rindërtimit total duhet të jenë të garantuar plotësisht që duhet të jetojnë në kushte normale, deri kur të kthehen në shtëpitë e tyre, aty ku do rindërtohen të reja, ose diku tjetër, por kjo është çështje e planifikimit dhe rindërtimit”-, nënvizoi Rama. Kreu i qeverisë tha se “përsa i përket pjesës tjetër gjendja psikologjike e njerëzve ka filluar të përmirësohet është domosdoshmëri përgatitja e fazës tjetër, faza e akomodimit për ata që janë sot në hotele dhe për ata që janë në zonën rurale”.
“Kam një merak shumë të madh për ata që janë në zonën rurale, lidhur me nevojën për t’u garantuar cilësi maksimale të çadrave dhe tendave. Për këtë Ministria e Mbrojtjes po punon çdo ditë së bashku me drejtuesin e plotfuqishëm pastaj me Ministrin e Turizmit dhe me shtabet përkatëse të emergjencave në Durrës dhe në Lezhë. Kemi diskutuar që të fillojë përpilimi i listës për ta që nuk kthehen dot në shtëpi dhe janë në hotel”, – theksoi Rama. Sipas tij, duhet të fillojë urgjentisht identifikimi i të gjitha apartamenteve për të marrë më qira nga shteti.
“Nuk do t’i çojmë nëpër kampe, nuk do t’i çojmë nëpër çadra do t’i çojmë në apartamente ku do të qëndrojnë me qira deri kur të bëhet rindërtimi. Rindërtimi do zgjasë nuk është një histori që bëhet sa hap e mbyll sytë, pavarësisht se kërkojnë të bëjmë shtëpi dhe pallate dje, është e mirëkuptueshme se janë në ankth”, –tha Rama. Por, vijoi ai, për të gjithë ata që nuk kthehen dot në shtëpi se nuk kanë ku hyjnë ose e kanë të dëmtuar shtëpinë deri kur të riparohet shtëpia duhet të qëndrojnë si njerëz nëpër apartamente.
“Nuk është e lehtë se janë shumë, nga ana financiare do ta përballojmë ne me çdo çmim, në kuptimin jo me çdo çmim qiraje se nuk do lejojmë abuzivizma, por me çdo çmim në kuptimin e kostos së përgjithshme, por duhet të jetë objektivi Blendi, që pasi ata të kalojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri në hotele si njerëz, na vjen keq për të tjetër që mund te kenë munduar ose të kenë prenotuar për të bërë Krishtlindjet ose Viti ne Ri në plazhin e Durrësit, por kjo është e pamundur në ata hotele do të qëndrojnë ata njerëz.
Pastaj duke filluar nga janari e në vijim të fillojë kalimi i tyre në apartamente, që të kenë minimumin jetik dinjitoz, jo në apartamente që të shtrihen përtokë, në çimento. Por në dyshek në pajisjet minimale të nevojshme në mënyrë që të mbrohen nga i ftohti të kenë mundësi të ushqehen dhe natyrisht edhe ndonjë kuotë të caktuar, si dhe me ndihmë ushqimore konstante”-, theksoi Rama. Ndërkohë, vijoi ai, që të tjerët që janë futur në hotele dhe janë mirëpritur dhe mirëkuptuar sepse janë të trembur, pak nga pak mund të kthehen në shtëpi./ata
Më të lexuarat








