Buxheti 2020 rikthehet per shqyrtim- Denaj: Mund te pezullohen disa projekte
Buxheti i 2020, do të rikthehet për shqyrtim, pasi do të parashikojë edhe shpenzimet që do të bëhen për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.
Edhe pse kishte kaluar disa Komisione në Kuvend si dhe ishte konsultuar me institucione të tjerë shtetërore, Buxheti i 2020 do të rikthehet edhe një herë për shqyrtim pasi pritet të pësojë ndryshime në shume zëra si në shpenzime si në të ardhura dhe do të orientohet tërësisht tek fondi i posaçëm për rindërtimin e banesave. Ministrja e Financave, Anila Denaja deklaroi ditën e sotme në Komisionin e Ekonomisë, se si pasojë e dëmeve të shumta të tërmetit të 26 nëntorit, do të ketë shkurtime të shpenzimeve si dhe po shikohet mundësi për të pezulluar disa projekte të parashikuara për vitin 2020. “Ka nisur puna për rishikimin e të dy buxheteve edhe të 2019 edhe të vitit 2020. Do të ketë shkurtime të shpenzimeve si në ato operativ si në ato korrente.
Po ashtu po shikohet mundësia për të pezulluar disa nga projektet e parashikuara për 2020, duke i shtyrë me 1 vit dhe fondet e parashikuara do ti kalojmë për rindërtimin e banesave.”-tha Denaj. Rishikimi e Buxhetit të 2020, e kishte paralajmëruar edhe Kryeministri Rama, gjatë mbledhjes së qeverisë mëngjesin e kësaj të hëne. "Sot kemi një takim me ministrinë e Financave dhe Kryetarin e Komitetit të Rindërtimit për të parë si do të riorganizojmë buxhetin, pasi duhet të miratohet në parlament në datën 5 dhe duhet të ketë brenda edhe atë fokusin tek fatkeqët dhe rindërtimin. Buxheti ka një barrë të jashtëzakonshme për të mbajtur të gjitha nevojat, sepse jeta normale do të kthehet dhe dielli do të dalë prapë dhe asgjë nga ato që bëhen nuk mund t'u privohet njerëzve.
Idetë janë të mira dhe skema që po formësohet është fituese, buxhet-donatorë dhe kontributet e njerëzve që janë të papërfillshme në raport me të tërën, por janë të nevojshme" tha Rama. Edhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi ditën e sotme se programi i Rindërtimit është program i veçantë. “Programi i Rindërtimit është program i veçantë, që do të prezantohet publikisht nga kryeministri. Detyra jonë për t’ju përgjigjur.”-tha Ahmetaj. Si pasojë e dëmeve të mëdha që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, mund të mos jetë e mundur që të gjitha shpenzimet të përballohen nga Buxheti i 2020, duke bërë kështu që të shtrihet edhe në Buxhetin e 2021. Megjithatë, ashtu siç ka deklaruar kryeministri Rama, rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti do të mbyllet brenda vitit 2020. Në datë 5 dhjetor pritet të miratohet në parim buxheti i vitit 2020./Shqiptarja.com