7.6 mld leke nga buxheti per rindertimin: Shkurtohen shpenzimet e Bashkive
7.6 miliardë lekë nga buxheti 2020 do shkojnë për projektin e rindërtimit të banesave të shembura dhe të shpallura të pabanueshme nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Qeveria ka vendosur që në fazën e parë të 0.4 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të shkojë për këtë qëllim, dhe lajmi u bë me dije nga Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e qeverisë. Ndërsa një zë tjetër që do të preket janë shpenzimet operative dhe kryesisht ato që lidhen me njësitë vendore. Në draftbuxhetin e vitit 2020, për shpenzime operative dhe mirmabjtje janë parashikuar të shkojnë 50 miliardë lekë, apo 2.8 për qind e PBB, dhe duket se ka hapsirë që një pjesë fondesh të shkëputen për të përballuar fatkeqësinë natyore nga e cila u godit vendi, ku mijëra qytetarë mbetën të pastrehë.
Ndërkaq, një ditë më parë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri me dije se do të ndryshohet edhe buxheti i këtij vitit, për të përballuar një pjesë të faturës. Ndërsa theksoi se përpos shpenzimeve korrente, mund të preken investimet infrastrukturore për vitin e ardhshëm, dhe projektet në vijim mund të shtyhen për një vit. Fondi total për investime vitin e ardhshëm, është parashikuar në 83.8 miliadrë lekë./Scan