Secondary Adv

Deklarata e Shoqates se Siguruesve: Cdo dem nga termeti do kompensohet sipas kontrates

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë bëri me dije se me qindra qytetarë i janë drejtuar kompanive të sigurimit pas tërmetit të 26 nëntorit për shkak të pronave të dëmtuara.

 

Në një deklaratë për mediat Shoqata nënvizon se aktualisht edhe kompanitë kanë të shpërndarë në terren grupet e punës që po bëjnë vlerësimin. “Për të lehtësuar personat e dëmtuar, shoqëritë e sigurimeve sqarojnë për publikun çdo konsumator që ka nënshkruar një kontratë sigurimi për banesën nga zjarri, tërmeti dhe përmbytja, në rast dëmi përfiton dëmshpërblim në varësi të dëmit të ndodhur pasi ka paraqitur kërkesën për dëmshpërblim. Siguruesi do të dëmshpërblejë të Siguruarin për dëmin e shkaktuar. Detyrimi i Siguruesit për dëmshpërblim kufizohet deri në masën e shumës së siguruar. Kompanitë e sigurimeve garantojnë klientët se çdo dëm nga tërmeti do të kompensohet sipas kontratës dhe në kohën më të shkurtër.

 

Pas tërmetit të 21 Shtatorit të këtij viti, shoqëritë e sigurimit kanë trajtuar me qindra raste dëmesh dhe sipas të dhënave më të fundit kanë paguar deri tani mbi 650 raste dëmesh me një vlerë mbi 250 milionë lekë, si edhe kanë në proçes edhe rreth 300 raste të tjera me një vlerë prej rreth 200 milionë lekë. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 Nëntorit janë të pakrahasueshëm me ato të 21 Shtatorit, por edhe në këtë rast, kapaciteti finanaciar i tregut të sigurimeve dhe nivelet financiare që ato kanë me kompanitë risiguruese nga më të mëdhatë në botë, garantojnë plotësisht pagesën e të gjitha dëmeve që u janë shkaktuar të siguruarve” thuhet në deklaratë. 

 

Dëmet në banesa

Tërmeti i 26 nëntorit kishte pasoja shkatërruese. Zyra e Ministrit Fuqiplotë për Adresimin e Pasojave të Tërmetit ka dhënë informacionin më të fundit lidhur me dëmet që janë shkaktuar në banesa nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Për qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër janë bërë këto verifikime deri më  datë 4 dhjetor 2019:

-Shtëpi të shembura: 1183 (Durrës 1050, Tiranë 131, Dibër 2)

-Shtëpi të dëmtuara rëndë: 5514 (Durrës 3838, Tiranë 1311, Lezhë 168, Kukës 150, Dibër 13, Elbasan 34)

 

-Shtëpi të dëmtuara lehtë: 3569 (Tirana 3248, Dibër 73, Elbasan 248)

-Pallate të dëmtuara rëndë: 558 (Durrës 35, Tiranë 461, Lezhë 56, Kukës 4, Dibër 1, Elbasan 1)

-Pallate të dëmtuara lehtë: 337 (Tiranë 330, Elbasan 7)

-Pallate të pabanueshme: 20 (Tiranë)

-Shkolla të dëmtuara: 28 (Tirana 11, Lezha 5, Kukës 3, Elbasan 9)./Monitor


Më të lexuarat