Secondary Adv

Kontrata e sigurimit te detyrueshem ne ndertim: AMF miraton kushtet

Pas nismës së qeverisë lidhur me sigurimin për një periudhë 10 vjeçare të çdo ndërtimi të ri nga ana e ndërtuesve, AMF përcakton kushtet që duhen plotësuar. 

 

Kështu së pari ajo që sanksionohet është limiti i përgjegjësisë dhe dëmshpërblimit. Sipas dokumentit limiti i përgjegjësisë/shuma e sigurimit të kontratës së sigurimit përcaktohet në policën e sigurimit dhe nuk mund të jetë më i ulët se çmimi i shitjes i përcaktuar në kontratën e kalimit të pronësisë së pasurisë së paluajtshme. “Shoqëria e sigurimit, dëmshpërblen në vlerë monetare të siguruarin/përfituesin për dëmet që ai ka pësuar si pasojë e ndodhjes së ngjarjes së sigurimit. Dëmshpërblimi nuk kalon në asnjë rast limitin e përgjegjësisë të caktuar në policën e sigurimit në bazë të pjesës takuese të njësisë individuale dhe atë caktuar për palën e tretë” thuhet në dokument.

 

Po kështu i njëjti sanksionon se periudha e vlefshmërisë së kësaj kontrate përcaktohet në policën e sigurimit me efekt 10 vjeçar nga data e marrjes së certifikatës së përdorimit nga kontraktuesi. Pagesa e primit bëhet nga kontraktuesi ndërkohë që primi i sigurimit shënohet në policën e sigurimit. Në seksionin dy të vendimit AMF sqaron se çfarë mbulohet për dëme të ndodhura në drejtpërdrejt në ndërtesë. “Shoqëria e sigurimit detyrohet të dëmshpërblejë të siguruarin/përfituesin për dëmtime të ndodhura drejtpërdrejtë në ndërtesë, në rast të ndodhjes së: Shembjes tërësore ose pjesore të ndërtesës; apo Ndërtesa paraqet dukshëm rrezik për t’u shembur; Defekteve serioze/të rënda në ndërtim; të cilat ndodhin si pasojë e problemeve të lidhura me të metat e tokës mbi të cilën është kryer ndërtimi ose për shkak të një apo disa defekte të ndërtimit” thuhet në dokument.

 

Përjashtime për dëme të ndodhura drejtpërdrejtë në ndërtesë

Në nenin 6 nga ana tjetër renditen përjashtimet për dëmet e ndodhura. “Kontrata e sigurimit nuk mbulon dëmet që: a. Kanë ndodhur si pasojë e kryerjes së ndërhyrjeve në ndërtesë pas marrjes së certifikatës së përdorimit; b. Janë të natyrës estetike, përfshirë edhe ndryshimet e ngjyrave; c. Kanë ndodhur si pasojë e kryerjes së ndërhyrjeve të mirëmbajtjes të ndërtesës, si dhe ato për shkak të mos kryerjes së mirëmbajtjes apo mirëmbajtjes të pamjaftueshme, pas datës së nënshkrimit të kësaj kontrate sigurimi;

 

ç. Janë shkaktuar nga zjarri, shpërthimi, përveç rasteve kur ato janë pasojë e ngjarjes të siguruar; d. Janë shkaktuar nga tërmeti, përmbytja dhe ngjarje të tjera të ngjashme natyrore; Kanë ndodhur nga valët e presionit të shkaktuara nga aeroplanët ose pajisjet e tjera ajrore udhëtimi me shpejtësi sonike ose supersonike, apo rënia e avionit ose pajisjeve të tjera të avionit ose objekteve të rëna prej tyre; Rrjedhin nga ndotja pavarësisht burimit të ndotjes; ë. Janë pasojë e akteve të luftës, kryengritjeve, trazirave popullore, akteve terroriste; Shkaktohen si rrjedhojë e punimeve që kryhen pranë objektit të marrë në sigurim” vlerëson AMF./Monitor


Më të lexuarat