Secondary Adv

Ndalohen fondet per veprimtari social kulturore: Nuk do kete shperblime e darka fundviti

Gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme kryeministri tha se ndalohet përdorimi i fondit të veçantë për veprimtari social kulturore dhe shpërblime punonjësish.

 

Rama në mbledhjen e sotme deklaroi po ashtu se qeveria nuk ka detyruar asnjë punonjës të japë para me detyrim për familjet në nevojë por se nuk do të ketë fond nga institucionet buxhetore apo jo buxhetore për shpërblime e darka e valle. Kryeministri theksoi se institucionet duhet të organizohen në mënyrë të tillë që të ndajnë një pjesë të kohës së festave me njerëzit që janë atje. “Edhe diçka që lidhet me vendimin që do kalojmë, një vendim për një ndryshim në vendimin nr. 929 datë 17112010 të Këshillit të Ministrave për krijimin e fondit të veçantë të krijuar. Është një vendim që ndalon rreptësisht përdorimin e fondit të veçantë për vitin 2019 për veprimtari social-kulturore dhe shpërblime punonjësish institucione për vitin e ri, ato që bëhen zakonisht. 

 

Me këtë rast, dua të falenderoj të gjithë ata që zemërgjerësisht kanë marrë pjesë në dhurim. Kryetar bashkish, drejtues institucionesh, punonjës. Refuzoj komplet atë shpifjen tjetër që medemek ne paskemi detyruar të gjithë punonjësit që të japin lekë nga rroga se s’kemi lekë për rindërtimin. Kjo është e pavërtetë. Asgjë nuk është bërë në mënyrë detyruese. Të gjithë kanë qenë të ftuar të japin kontribut vullnetar. Ne vetë i dedikuam rrogën e nëntorit këtij procesi. Kryetar bashkish bënë të njëjtën gjë, drejtuesit të njëjtën gjë, punonjësit jo të gjithë kanë kontribuar dhe nuk ka asnjë problem. Nuk ka asgjë të detyruar në këtë proces. 

 

Por, askush nuk duhet të dedikojë fond nga institucione buxhetore apo jo buxhetore nga institucione publike të krijuara me ligj të posaçëm, nga institucione të qeverisjes vendore, njësitë e fondeve speciale, ndërmarrje shoqëri tregtare me kapital mbi 50% shtetërorë në varësi të institucioneve qendrore dhe vetëqeverisjes vendore për vitin e ri, për darka e për valle. Përkundrazi, duhet të organizoheni të gjithë që të gjitha institucionet të ndajnë një pjesë të kohës së festave me njerëzit që janë atje. Të shkojnë, ti vizitojnë, të çojnë dhurata për vitin e Ri për fëmijët me një organizim të brendshëm”, -tha Rama. Më tej, kryeministri informoi se edhe pas qetësimit të situatës, fokusi i qeverisë do të jetë tek këta njerëz të prekur nga tërmeti.

 

“Të bëjmë këtë gjë. Solidaritet, prani dhe me qetësimin e situatës me normalizimin e situatës sigurisht që fokusi i shoqërisë në përgjithësi, fokusi i tendave mediatike në veçanti do të spostohet dhe do të rikthehet në territorin e gam-gamit. Ne duhet të mbajmë fokusin këtu dhe është shumë e rëndësishme që duke filluar nga e hëna, të kemi qartësisht të ndarë punën me patronazhimin e territoreve. Jo vetëm shtabet e emergjencave, jo vetëm zyra qendrore e emergjencës por të gjithë ne këtu duhet të ndajmë orë të çdo ditë me këta njerëz nëpër zona.

 

Kur them të gjithë kam parasysh ministrat, zv/ministrat, kam parasysh drejtues të institucioneve kryesore dhe një pjesë të punës që jemi mësuar ta bëjmë ditën do ta bëjmë natën për pjesën e përditshme të punës së qeverisë dhe një pjesë të ditës sado pak, por në mënyrë konsistente çdo ditë do t’ia kushtojmë këtyre zonave. Është shumë e rëndësishme kjo, për këto njerëz. Kjo mund të zgjasë me muaj të tërë. Nuk është një gjë që do të mbarojë kur të mbyllen tendat mediatike. Duhet të zgjasë me muaj të tërë”, tha Rama./ata


Më të lexuarat