Secondary Adv

Dendesia me e larte e popullsise: Kryeson Tirana, ja qarqet qe u rriten ne 2018

Share on Google+

Gjatë 2018 vetëm popullsitë e qarqeve të Tiranës, Durrësit dhe Vlorës janë rritur, ndërsa të gjitha qarqet e tjera kishin normë negative të rritjes së popullsisë. 

 

Qarku i Tiranës ka pasur nivelin më të lartë të rritjes së popullsisë gjatë vitit 2018, pasi u rrit me 1,88 % krahasuar me vitin 2017. Nga ana tjetër, qarku me normën më të ulët të rritjes së popullsisë ishte ai i Gjirokastrës, me – 3,50 %, gjatë vitit 2018. Gjatë vitit 2018 vetëm popullsia e 15 bashkive është rritur, duke marrë parasysh rritjen natyrore të popullsisë dhe migracionin e brendshëm neto, ndërsa të gjitha bashkitë e tjera të mbetura patën një rritje negative të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar. Bashkia e Tiranës ka pasur rritjen më të lartë të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar, gjatë vitit 2018, pasi u rrit me 10.051 banorë, e ndjekur nga bashkia Durrës, e cila u rrit me 1.679 banorë.

 

Nga ana tjetër, bashkia Korçë ka rritjen më të ulët të popullsisë pa migracionin ndërkombëtar gjatë vitit 2018, pasi ajo u ul me 568 banorë, e ndjekur nga bashkia Dibër, e cila u ul me 410 banorë. Popullsia e Shqipërisë ka ardhur duke u zvogëluar që nga viti 2001, megjithëse jo të gjitha qarqet kanë ndjekur këtë prirje. Gjatë vitit të kaluar, popullsia e Shqipërisë u ul nga 2.873.458 në 2.866.376 banorë. Në vitin 2018, qarku me popullsinë më të lartë në Shqipëri është ai i Tiranës, me 889.578 banorë, i ndjekur nga qarku i Fierit me 296.446 banorë. Në të njëjtën kohë, dy qarqet me popullsinë më të ulët në vitin 2018 ishin ato të Kukësit dhe Gjirokastrës, respektivisht me 76.994 dhe 62.188 banorë.

 

Tirana dhe Durrësi, qytetet me dendësinë më të lartë

Qarku i Tiranës ka dendësinë më të lartë të popullsisë në vend, më shumë se 538 banorë për kilometër katror, në vitin 2018. Dendësia e popullsisë në 2018 ishte 100 banorë për km². Dendësia e popullsisë ka mbetur pothuajse në të njëjtat nivele gjatë pesë viteve të kaluara. Qarku i Tiranës ka dendësinë më të lartë të popullsisë, me 538 banorë për km², në vitin 2018. Qarku me dendësinë e dytë më të lartë të popullsisë është ai i Durrësit, me 378 banorë për km², i ndjekur nga Fieri, me 157 banorë për km². Nga ana tjetër, qarqet me dendësinë më të ulët të popullsisë janë ato të Dibrës, Kukësit dhe Gjirokastrës, përkatësisht me 46, 32 dhe 22 banorë për km², në 2018./Monitor 


Më të lexuarat