Secondary Adv

Lejet per rindertimin e banesave: Jepen nga kryetari i bashkise brenda 5 diteve

Pas bllokimit të lejeve të ndërtimit në qarqet e prekura nga tërmeti, duke pranuar aplikime vetëm për rindërtim, qeveria ka miratuar edhe procedurën e përshpejtuar. 

 

Në vendim theksohet se bashkitë vendosin me procedurë të përshpejtuar brenda 5 ditëve për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar. 

 

Aplikimet për leje paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar. Dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është akti i konstatimit për objektin e dëmtuar, i hartuar nga strukturat përkatëse të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi dhe projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse apo projektuesit e licencuar.

 

Vendimi i plotë

për një ndryshim në vendimin nr.408, datë 13.5.2015, të këshillit të ministrave, “për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, të ndryshuar. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

Në tekstin e rregullores së zhvillimit të territorit, bashkëlidhur vendimit nr.408, datë 13.5.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi, si më poshtë vijon:

Neni 1

Pika 1/1, e nenit 24, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1/1. Autoriteti vendor vendos, me procedurë të përshpejtuar, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e paraqitjes së aplikimit në sistemin e-leje, për pajisjen me leje ndërtimi, për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile. Përjashtimisht, vetëm për këto raste, autoriteti përgjegjës për miratimin e lejeve të ndërtimit për ndërtimin, riparimin apo restaurimin e objekteve të dëmtuara, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile, është kryetari i bashkisë brenda territorit administrativ të bashkisë ku kërkohet leja me procedurë të përshpejtuar, dhe:

 

a) aplikimet paraqiten për shqyrtim dhe miratim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve nga ana e Institutit të Ndërtimit, bashkisë përkatëse apo projektuesve të licencuar;

b) dokumentacioni i vetëm që duhet të dorëzohet nga aplikuesi është:

i. akti i konstatimit për objektin e dëmtuar, i hartuar nga strukturat përkatëse të ngarkuara nga legjislacioni në fuqi;

ii. projekti teknik/konstruktiv i hartuar nga Instituti i Ndërtimit, bashkia përkatëse apo projektuesit e licencuar.”./Shqiptarja.com


Më të lexuarat