Secondary Adv

Rruga e Arbrit: Keshilli i Ministrave miraton fondin e shpronesimeve

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimi i Rrugës së Arbrit. 

 

Shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Vendimi përcakton se pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës për pasuritë e llojit tokë “arë” dhe tokë “truall”, me vlerë 1 milion e 768 mijë e 919 lekë. Vlera e përgjithshme e shpronësimit do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, zëri “Shpronësime”, miratuar për Autoritetin Rrugor Shqiptar, në programin buxhetor “Transporti rrugor”. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. 

 

Afati i përfundimit të shpronësimit do të jetë tre muaj pas datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë, si dhe hartën treguese të regjistrimit në ARRSH. ARRSH të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim. 

 

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në bashkëpunim me ARRSH, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, do të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit, të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë në favor të shtetit. Po ashtu, vendimi detyron Agjencinë Shtetërore të Kadastrës që të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit./SCAN


Më të lexuarat