Korridori Adriatik- Jonian dhe Korridori 8, gati brenda vitit 2030
Brenda 2030 pritet të përfundojë ndërtimi i korridoreve europiane, ai Adriatik- Jonian dhe Korridori VIII. Këtë e deklaroi ministri Haxhinasto, gjatë një vizitë zyrtare në Bruksel ku zhvilloi takime me përfaqësues të Komisionit Evropian, Drejtorinë e Transportit dhe Drejtorinë e Fqinjësisë, mbi përcaktimin e rrjetit bazë të korridoreve të transportit në vendin tonë.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ndodhet për një vizitë zyrtare në Bruksel, bën me dije Këshilltarja e e tij, Ana Kekezi. Sipas këtij njoftimi, ministri Haxhinasto, zhvilloi takime me përfaqësues të Komisionit Evropian, Drejtorinë e Transportit dhe Drejtorinë e Fqinjësisë, mbi përcaktimin e rrjetit bazë të korridoreve të transportit në vendin tonë, iniciativë e ndërmmarrë në kuadër të nismës së “Konektiviteti në vendet e Ballkanit Perëndimor”, pjesë e proçesit të Berlinit të filluar Gushtin e vitit 2014.
“Qëllimi i nismës është përcaktimi i korridoreve bazë të transportit në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e disa kritereve, pjesë e metodologjisë së provuar Evropiane, kritere si lidhja e kryeqendrave të rajonit, lidhja e zonave ekonomike dhe porteve në rajon. Dy korridoret që u diskutuan sot me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, me Jean Erique Paquet dhe të tjerë, ishin ato të Korridorit Veri-Jug, me hyrjen në Hanin e Hotit dhe dalje në Kakavijë, si dhe korridori VIII”, mësohet të jetë shprehur pas takimit Haxhinasto.
Gjithashtu, Ministri Haxhinasto mbështeti përfshirjen e Korridorit VIII-të si pjesë e rrjetit bazë evropian rrugor dhe hekurudhor. “Ky është një hap i rëndësishëm pasi do të na mundësojë thithjen e më shumë investimeve për këto dy korridore, me qëllim përfundimin e tyre brenda 2030″, është shprehur ai. Gjatë vizitës së tij një ditore Ministri Haxhinasto zhvilloi takime pune bilaterale koordinuese me homologët e tij Maqedonas Mile Janakieski, Kosovar Lutfi Zharku, Malazez Ivan Brajevic, dhe Boshnjak Izet Bajrambashiq, me të cilët u diskutua për koordinimin për mbështetjen e projekteve të përbashkëta, si dhe futjen e tyre si pjesë të korridoreve evropiane.Takimi i ardhshëm për këtë qëllim eshte në Prishtinë më 25 Mars”, sipas njoftimit.