Secondary Adv

Shtyhet per here te trete fiskalizimi: Per biznesin e madh nis nga 1 shtatori 2020

Komisioni i Ekonomisë ka votuar për një tjetër datë ndryshe nga ajo e propozuar nga Ministria e Financave, dhe nuk është as 1 marsi as 1 korriku por 1 shtatori 2020. 

 

Ky afat do të jetë për fazën e parë të sistemit që lidhet me marrëdhënien biznes-konsumator që ka në fokus bizneset me qarkullim mbi 8 milionë lekë. Për bizneset me qarrkullim nga 2-8 milionë lekë dhe ato të vogla zbatimi nis në 1 janar 2021. Nëse të gjitha këto do të ecin siç duhet në 1 korrik 2021 zbatimi nis edhe për transaksionet që kalojnë përmes bankave në marrëdhënien biznes-biznes, duke bërë që gjithçka tashmë të funksionojë në zinxhir përmes faturës elektronike. Në debatin e zhvilluar në Komisionin e Ekonomisë, kreu i këtij komisioni dhe ish-ministër i Financave Arben Ahmetaj ka nënvizuar se është e nevojshme që tatimpaguesit dhe institucionet kanë nevojë për më shumë informacion dhe kohë.

 

Po kështu ai ka nënvizuar se Ministria e Financave duhet të ketë një qasje tjetër në mbikëqyrjen e procesit. “Në emër të komisionit po doni ta votoni ju kërkoj që ai server i ndërmjetëm të futet në dorën e institucioneve shtetërore dhe jo në dorë të privatëve. Si mund të lë unë një sistem në dorë të privatit dhe më zhbëhen të dhënat nesër” tha Ahmetaj. Në fakt biznesi nga ana e tij e ka vlerësuar si pozitiv procesin por ka nënvizuar se i duhet më shumë kohë për t’u përgatitur ndërkohë që theksi është vënë sidomos tek kostot. Vetëm pak ditë më parë përfaqësues të kompanive të kasave llogaritën se procesi do të kërkonte vlera deri në 1300 euro për bizneset që në disa raste mund të rezultojnë të papërballueshëm. 

 

Aktualisht Ministria e Financave ka nxjerrë edhe tre akte nënligjore të lidhura me ligjin e fisklazimit ku së pari është udhëzimi që sqaron në detaj mënyrën si do zbatohet ligji, i dyti është një vendim që përcakton se çdo biznes që kalon 350 kupona në vit nuk do raportojë nga platforma qendrore por duhet të hyjë në proces të rregullt dhe së treti është një vendim që vendos kriteret teknike për kompanitë që do të ofrojnë zgjidhjen softuerike. Ministria e Financave llogarit se janë në total 80 mijë biznese të cilët do të kalojnë nga sistemi aktual i kasave te projekti i fiskalizimit./Monitor


Më të lexuarat