Secondary Adv

Frenon rritja e pagave: Paga mesatare mujore zbret ne 51,900 leke

Paga mesatare bruto në ekonomi pësoi rënie në tremujorin e tretë të vitit. 

 

Mbështetur në të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të përpunuara nga Instat, paga mesatare ra në më pak se 51,900 lekë, rreth 700 lekë më pak krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me një vit më parë, pagat vazhdojnë të ruajnë rritje pozitive, megjithatë niveli i rritjes ka zbritur në 3.7%, nga 4.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Edhe kjo rritje, në një masë të madhe, i detyrohet ndryshimit me ligj të pagës minimale, që në fillim të këtij viti u rrit nga 24 mijë lekë në 26 mijë lekë.

 

Ritmet më të ulëta të rritjes ekonomike këtë vit duket se po japin efektet e para edhe në treguesit e tregut të punës, duke frenuar rritjen e pagave. Shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shfaqën një rënie të këtij treguesi gjatë tremujorit të tretë. Sektori që ofron pagat më të larta në ekonomi ngelet ai financiar, ku çdo i punësuar paguhet mesatarisht 100 mijë lekë në muaj. Por, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, paga mesatare në këtë sektor ka rënë me 13 mijë lekë, ndërsa krahasuar me një vit më parë paga mesatare është pothuajse në të njëjtat nivele.

 

E njëjta gjë ka ndodhur edhe një tjetër sektorë të shërbimeve me paga mesatarisht të larta, atë të informacionit dhe komunikimit. Paga mesatare mujore ra në 76,500 lekë, 10 mijë lekë më pak krahasuar me tremujorin e dytë. Rënia e ndjeshme e pagave u raportua edhe në sektorin e bujqësisë, ku paga mesatare ishte rreth 36 mijë lekë, 3 mijë lekë më pak krahasuar me tremujorin e dytë. Rënie të lehtë të pagës mesatare pësoi edhe sektori i ndërtimit. Në këto kushte, rënie e pagës mesatare në ekonomi do të kishte qenë shumë më e madhe.

 

Por, ajo që dha një efekt të ndjeshëm balancues ishte industria, dega me kontributin kryesor në punësim. Në industri, paga mesatare u rrit me rreth 500 lekë dhe arriti në afërsisht 42 mijë lekë në muaj. Sektori publik vazhdon të ketë një nivel të pagës mesatare gati 40% më të lartë krahasuar me sektorin privat. Për tremujorin e tretë, paga mesatare në shtet arriti në 64 mijë lekë, ndërsa ajo në sektorin privat ra në rreth 46 mijë lekë./Scan


Më të lexuarat