Secondary Adv

Pronat, caktohen 2 mld leke per gjyqet e humbura ne Strasburg


Në buxhetin e shtetit të vitit 2015 janë parashikuar 2 000 milionë lekë për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut në favor të shtetasve shqiptarë.


Nisur nga interesimi i qytetarëve që pretendojnë kompensimin financiar për pronat e tyre, Ministria e Financave njoftoi dje se, në vitin 2015, deri ditën e djeshme, janë shlyer rreth 6902 mijë lekë dhe mbeten për t’u shlyer: një vendim në shumën 8,1 milionë euro ose 1,143,470 mijë lekë, i parashikuar në buxhet dhe një vendim tjetër në shumën 650 mijë lekë, i cili është në proces.


Çështjet që trajtohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave. Për sa i përket procesit të ekzekutimit të vendimeve që kanë të bëjnë me vendimet e GJEDNJ-së, deri dje, është ekzekutuar detyrimi financiar, tërësisht, për 38 prej këtyre vendimeve, ndërsa dy vendime janë në proces miratimi dhe ekzekutimi.


Kostot
Për të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në rast se pagesat e detyrimeve nuk kryhen brenda afatit 3 mujor nga data kur vendimet bëhen përfundimtare, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e kamatë vonesës, për çdo ditë vonesë. Deri në fund të vitit 2014, efektet e këtyre detyrimeve janë përballuar nga Fondi Rezervë i Buxhetit të Shtetit. Ndërsa për ekzekutimin e pagesave për detyrimet ndërkombëtare per vitin 2015, burimi i financimit do të jetë Fondi i Kontigjencës.


Ndërkohë, në lidhje me një Vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, meqenëse vendimi ka dale që vitin e kaluar, fondet për ekzekutimin e tij janë planifikuar në buxhetin e Ministrisë së Financave. “Për të gjitha rastet e tjera, që mund të miratohen nga kjo gjykatë, në buxhetin e shtetit të vitit 2015 janë parashikuar 2 000 milionë lekë (afërsisht 20 milionë dollarë)”, thekson Ministria e Financave.


Pronat
Çështjet që trajtohen nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) janë çështje që lidhen me të drejtat e njeriut, por nga historiku i çështjeve  dhe vendimeve që i përkasin shtetasve shqiptarë,ato janë kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave.
“Qeveria shqiptare, duke vlerësuar çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave si një çështje tepër të rëndësishme dhe me kosto të konsiderueshme, ka krijuar një grup pune ndërministror, i cili po përgatit një plan masash për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave, duke krijuar një bazë të besueshme për qytetarët dhe institucionet ndërkombëtare, me qëllim që të mos ketë kosto të papritura dhe të papërballueshme për buxhetin e shtetit”, thekson Ministria e Financave.


Dëmshpërblimet, detyrimet e paguara
Në 2005 -16,080 mijë lekë;
Në 2007 -3,500 mijë lekë;
Në 2008 -131,558mijë lekë;
Në 2009 -77,280 mijë lekë;
Në 2010 -21,336 mijë lekë;
Në 2011 -277,368 mijë lekë;
Në 2012 -8,428 mijë lekë

Kompensim fizik për 360m²
Në 2013 -112,051 mijë lekë;
Në 2014 -543,954 mijë lekë;


Më të lexuarat