
Komisioni i Sigurise miraton kerkesen: Shtyhet periudha e emergjences deri me 31 mars
Komisioni i Sigurisë, miratoi sot kërkesën e qeverisë për të shtyrë deri me 30 mars të 2020, gjendjen e fatkeqësisë së 26 nëntorit për qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë.
Zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, u shpreh se zgjatja e kësaj periudhe deri më 30 mars 2020 do të jetë koha kur do të jenë strehuar të gjithë banorët shtëpitë e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti, pasi shumë shpejtë nisë procesi i rindërtimit. Kryeministri e ka për detyre të jetë i pari dhe instrumenti kryesor në emër të shtetit për të përballuar situatën. Qeveria po bën maksimalen- tha Koçi. Ndërsa Haki Çako, kreu i Emergjencave Civile u shpreh se, “në kushtet e fatkeqësisë, baza ligjore që kemi ngritur për Emergjencat Civile në Shqipëri, në përputhje me mekanizmin e Emergjencave Civile Europiane, tregoi se reagimi i të gjitha strukturave ishte i jashtëzakonshëm, por edhe i të gjithë shqiptarëve, një solidaritet që nuk ishte parë më parë, pavarësisht ngjyrave politike i gjithë spektri politik dhe qytetarët kanë ndihmuar dhe kontribuar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti”.
Çako argumentoi nevojën e zgjatjes së periudhës së fatkeqësisë natyre, duke nënvizuar se, “janë një sërë operacionesh të cilat janë në vazhdim e sipër nga të gjitha strukturat operacionale në terren, qofshin forcat e ushtrisë, apo policisë të angazhuara maksimalisht për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, në akomodimin e tyre në qendra pritëse, banesa, apo vendosjen e çadrave në zonat rurale, aty ku janë banesat e dëmtuara”. “Do të vazhdojnë të gjitha këto operacione në terren deri në një fazë të vlerësuar të Komitetit Ndërministror i cili ka ngritur edhe Shtabin Qendror të drejtuar nga Bledi Çuçi dhe të gjitha vendimet përkojnë dhe analizohen në këtë Shtab.
Në këto kushte duke pasur parasysh se kjo fazë është e rëndësishme në përcaktimin e dëmeve në banesa, objekte apo institucione ku operacion do të vazhdojë dhe do të jetë ky komitet për çdo vendimmarrje”- tha Çako. Kryetarja e komisionit Ermonela Felaj, duke marrë fjalën theksoi se, “ne nuk jemi pjesë të Komitetit të Ndërministror të Emergjencave Civile, por është e rëndësishme që propozime të ndryshme që bëhen nga deputetët të mund të vihen në detaje të punës të këtij komiteti. Felaj tha se, “sigurisht që ka një lloj padurimi i cili duhet kuptuar dhe pranuar, nga ana e të gjithë atyre banesat e të cilëve janë dëmtuar, për të marrë një lloj përgjigje nëse mund të vijohet jetesa normalisht në këto banesa.
Kërkohet rikuperimi i tyre apo, gjë e cila mund ti paraprihet qoftë duke inkurajuar grupet e punës që të vijojnë punës sipas një radhe të përcaktuar”. Por theksoj ajo, “pjesë e këtyre inspektimeve apo grupeve të punës në këtë proces duhet të jenë edhe prokurorët, çka nënkupton që çdo përgjegjës i kësaj fatkeqësie duhet të përballet me ligjin”. “Pra paralelisht me inspektimet në terren sipas prioriteteve duhet të jenë edhe organi i ndjekjes penale për ta parë këtë proces me saktësi” – tha Felaj./ata
Më të lexuarat








