Secondary Adv

Ligji per lojerat e fatit hyn ne fuqi ne janar 2016, kazinote jo me afer se 200 metra

 

Ligji per lojerat e fatit nga qeveria vendos rregulla të reja për të gjitha kategoritë e lojërave dhe ndryshon skemën e taksave duke e përcaktuar atë tashmë mbi bazë e fitimit dhe jo me tarifa fikse si dhe zhvendosja e kazinove vetëm në zonat turistike


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani i cili prezantoi dje draftin në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, sqaroi se objektivat e këtij projektligji janë lufta kundër informalitetit dhe evazionit, kufizimi i pasojave sociale negative dhe përmirësimi i bazës rregullative. Projektligji pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2016.


Rregullat e reja per lojerat e fatit

“Një nga pikat kryesore ku bazohet ky projektligj është kufizimi i pasojave sociale, negative. Për këtë është përcaktuar që distanca e lojërave të fatit nga institucionet e arsimit dhe ato fetare, por edhe nga njëra-tjetra mos jetë më pak se 200 metra në vijë ajrore”, - sqaroi ministri Cani rregullat e reja për lojërat e fatit. Një tjetër ndryshim, theksoi ai, është që kazinotë të dalin jashtë qyteteve dhe të jenë vetëm në pika turistike, me përjashtim të kazinove në hotelet me 5 yje. Për të evituar pasojat negative sociale, qeveria nëpërmjet këtij ligji të ri bën të mundur që edhe familjarët e ‘bastexhinjve’, nëpërmjet një kërkese të shpërndarë në çdo pikë të lojërave të fatit, të pengojnë që familjarët e tyre të luajnë. “Bëhet një ndryshim në ligj që lojtarët dhe të punësuarit në lojërat e fatit nuk do të jenë më 18 vjeç e lart por 21 vjeç e lart. Po kështu kërkohet një regjistër i saktë për lojtarët”, - sqaroi ministri.


Sa i përket lufta kundër informalitetit, Cani tha se elementi bazë në këtë drejtim është kontrolli në kohë reale përmes sistemit të monitorimit online i cili do të jetë në funksion në fillim të vitit 2016. “Me këtë sistem bëhet taksim më i drejtë, mblidhen të dhëna reale për xhiron, do të kemi një regjistër të plotë online të atyre që luajnë, kontroll të çdo transaksioni si dhe të ardhurat do të jenë më reale. Me ligjin e ri shkon deri në fund analiza e përfituesit real të lojërave të fatit”, - theksoi kreu i Financave. Ministri sqaroi se licencat tashmë do të kenë një afat të kufizuar, 10-vjeçar gjithashtu kufizohen deri në 500, NIPT-et sekondare për lojërat e fatit. Por deputetët shprehën shqetësimin nëse edhe kufizimi deri në 200 metra distancë nga njëra pikë e lojërave të fatit në një tjetër, ishte e mjaftueshme. “200 metra mos është pak afër? Mos do ishte mirë të kishim një numër fiks edhe për kazinotë”, - pyeti deputeti Artan Gaçi, i cili ishte edhe relatori i këtij drafti.


Afatet dhe tarifat e licencës
Afati i licencimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit është 10 vjet dhe fillon që nga data e lëshimit të saj.
Tarifa e licencimit për kategoritë:
a) “Baste sportive dhe baste për garat në pistë”, për të gjithë periudhën e licencimit, është: 200 milionë lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur deri në 500 adresa sekondare në total.
b) “Bingo televizive”, për të gjithë periudhën e licencimit, është 40 milionë lekë;
c) “Kazino”, për të gjithë periudhën e licencimit, duke filluar nga 1 një miliard lekë. Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetëm 1 sallë në total.
ç) “Kazino të vendosura në hotelet me pesë yje”, për të gjithë periudhën e licencimit, është 70 milionë lekë;
d) “Resort kazino” përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
dh) “Lotaria Kombëtare”, për të gjithë periudhën e licencimit, duke filluar nga 1 një miliard lekë.
e) “Lojëra elektronike në distancë”, për të gjithë periudhën e licencimit, është 200 milionë lekë.
Mënyrat dhe afatet për kryerjen e pagesave të tarifave të përcaktuara në pikën 3, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


Mbrojtja e lojtarit
Organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar të vendosin në mënyrë dalluese në ambientet ku luhen lojëra fati mesazhe në lidhje me luajtjen e lojërave të fatit nga lojtarët në mënyrë të përgjegjshme, rreziqet e mundshme të lojërave të fatit, si dhe shanset reale për të fituar.
Ndalohen ndërtimi/blerja, marrja/dhënia me qira apo huapërdorje e mjediseve, me fushë veprimtarie lojëra fati, të ekspozuara pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë.
Distancat ndërmjet subjekteve të lojërave të fatit nga institucionet e parashikuara në pikën 2, të këtij neni, duhet të jenë jo më pak se 200 metra në vijë ajrore në të gjitha drejtimet. Distancat të llogariten ndërmjet ekstremiteteve më të afërta të dy objekteve. Mënyra e përllogaritjes së distancave sipas kësaj pike përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave.


Detyrimet tatimore për të gjitha lojërat e fatit
- Organizatorët e kategorisë “Baste sportive” tatohen në masën e parashikuar në përputhje me pikën 2, të këtij neni, por jo më pak se 40 mijë lekë në muaj, për çdo pikë sekondare të hapur.
- Tatimpaguesit, që ushtrojnë veprimtari në fushën e organizimit të lojërave të fatit në “Kazino”, “Kazino në hotele me 5 yje” dhe “Resort kazino” paguajnë detyrimet tatimore mujore, për: a) tryezat me më shumë se një pozicion (ruletë), një taksë mujore në masën 12 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se 300 mijë lekë në muaj për çdo pozicion; b) çdo tryezë të lojërave (me letra dhe/ose me zara), një taksë mujore në masën 12 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se 1.5 milionë lekë; c) lojërat elektronike dhe për video-lotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore në masën 25% nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit; ç) makinat slot me fitim në çast, një taksë mujore në masën 25 për qind nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit.
- Tatimpaguesit, që ushtrojnë veprimtari Kazino në hotele me 5 yje, përveç detyrimeve të sipërcituara për këtë kategori, paguan dhe një taksë vjetore prej 140 mijë lekësh për makinë elektronike. - Tatimpaguesit, që ushtrojnë veprimtari në fushën e organizimit të lojërave të fatit në bastet për gara në pistë, paguajnë detyrimet tatimore, si më poshtë: a) Një tatim loje fati, me kuotë fikse çdo muaj prej 2 milionë lekësh për shoqërinë; b) Një tatim loje fati, me kuotë fikse çdo muaj prej 40 mijë lekësh për çdo pikë të shitjes së basteve; c) Për lojërat elektronike, me fitim në çast, të vendosura në mjediset e hipodromit, një tatim me kuotë fikse çdo muaj prej 40 mijë lekësh për çdo kompjuter elektronik ose pozicion të makinës elektronike.
- Detyrimet tatimore për lojërat e fatit paguhen në degën e organeve tatimore, ku është e regjistruar shoqëria (organizatori), jo më vonë se data 15 e çdo muaji për veprimtarinë e realizuar në muajin pararendës.
- Tatim-fitimi i organizatorit llogaritet dhe paguhet në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.


Më të lexuarat