Aeroportet i hiqen Ministrise se Mbrojtjes: Pas Vlores edhe ai i Korces
Pas aerodromit të Vlorës, qeveria ka ndryshuar përgjegjësinë e administrimit edhe të aerodromit të Korçës.
Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare parashikon kalimin në pronësi nga ministria e Mbrojtjes te Bashkia e Korçës e aerodromit. Në ceremoninë e hapjes së tenderit ndërkombëtar për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të ri në Vlorës, ministrja Balluku tha se janë në projekt tre aeroporte. Kjo, sipas ministres, do të ndikojë jo vetëm në turizëm por edhe në uljen e çmimit të biletave të fluturimeve ajrore në Shqipëri. Në fakt,ekziston një studim fizibiliteti për ndërtimin e një aeroporti në Korçë. Investimi është përllogaritur 25 milionë euro dhe synon ofrimin e shërbimeve për avionët e vegjël turistikë dhe për linjat low cost. Në vitet 1924-1944, Korça kishte një aeroport që përdorej kryesisht për transportin e brendshëm ajror por që siguronte edhe fluturime direkte me Italinë, si rrjedhje e prezencës së lartë të punëtorëve nga Italia që ishin në ato vite në Shqipëri në sektorin e prodhimit të naftës dhe mineraleve./SCAN