Qeveria vendos filtra per kontratat e rindertimit: Perjashtohen kompanite problematike
Kompanitë problematike që operojnë në sektorin e ndërtimit do të përjashtohen nga procesi i rindërtimit që do të ndërmarre qeveria.
Në projektligjin “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore” nënvizohet se cilat do të jenë filtrat që do të merren parasysh në momentin që do të hapen procedurat e prokurimit publik për projekte të ndryshme të lidhura me rindërtimin. Sipas projektligjit autoriteti përgjegjës shkualifikon nga procedura e përzgjedhjes së fituesve të kontratave publike çdo operator ekonomik në rastet kur së pari ka falimentuar dhe kapitalet e tij janë në proces ekzekutimi nga përmbaruesit.
Së dyti kur është subjekt i procedurave për deklarimin e falimentimit dhe ka një urdhër likuidimi të detyruar ose administrimi nga gjykata, ose ka një marrëveshje me kreditorët, ose ndonjë procedurë tjetër të ngjashme. Së treti sipas projektligjit si filtër do të shërbejnë edhe vendimet e gjykatave dhe një operator përjashtohet nëse është dënuar me vendim të formës së prerë për vepra që lidhen me veprimtarinë profesionale. Së katërti kur operatori ekonomik nuk i ka përmbushur detyrimet për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës.
Si filtër do të shërbejë edhe rasti kur operatori nuk i ka përmbushur detyrimet për pagimin e tatimeve, në përputhje me legjislacionin shqiptar ose me dispozitat e zbatueshme në shtetin e origjinës; Së pesti kur është fajtor për dhënie të informacioneve të rreme, kur këto i janë kërkuar në përputhje me këtë kre, ose nuk ka pranuar t’i japë këto informacione ose dokumente apo një pjesë të tyre; Së gjashti kur me vendim të Agjencisë së Prokurimit Publik është përjashtuar nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit publik dhe/ose koncesioneve.
Në finale është edhe rasti kur “ndërtimet civile (godina banimi ose ndërtesa të tjera shtetërore) dhe industriale të projektuara, të ndërtuara, të mbikëqyrura dhe/ose të kolauduara, ku ofertuesi është shfaqur në cilësinë e kontraktorit, nënkontraktorit, janë dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore dhe kur ky dëmtim ka ardhur si pasojë e cilësisë së shërbimit dhe/ose zbatimit të punimeve të operatorit ekonomik, vërtetuar nga organet kompetente. Detyrimi për të shkualifikuar një operator ekonomik zbatohet edhe kur aksionari, ortaku, administratori dhe/ose anëtarët e një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës i tij, aksionar ose ortak ka pasur kompetenca vendimmarrëse në një shoqëri e cila ndodhet në kushtet e mësipërme “thuhet në projektligj./Monitor