Secondary Adv

Rehabilitimi i portave te shkarkimit: Vijon puna ne HEC-et e Komanit dhe Fierzes

Projekti për rehabilitimin e portave të shkarkimit në hidrocentralin e Komanit dhe Fierzës, i cili po financohet nga BB dhe BERZH po vijon me ritme të shpejta.

 

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se ka përfunduar rehabilitimi i portës së mirëmbajtjes nr .4 në HEC-in e Komanit dhe është në përfundim porta e mirëmbajtjes nr.3 në Fierzë. E veçanta e këtij projekti konsiston në punimet nënujore, të cilat po kryhen nga skuadra të specializuara zhytësish të pajisur me aparatura moderne të kontrollit nënujor (sistemi ROV). Projekti do të vijojë me rehabilitimin e portës së mirëmbajtjes nr.3 në HEC-in e Komanit dhe me fillimin e rehabilitimit të portës së shkarkimit nr.3 në HEC-in e Fierzës. Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të BB miratoi në muajin maj të vitit 2018 një financim shtesë prej 12 milionë eurosh për projektin e sigurisë së digave për Shqipërinë. 

 

Projekti do të rrisë mbështetjen për ruajtjen e digave hidroelektrike në kaskadat e lumenjve Drin dhe Mat në Shqipëri, për përmirësimin e efikasitetit operacional të këtyre digave dhe për rritjen e stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në tregun rajonal. Kaskada e Drinit përfaqëson një aset të rëndësishëm për vendin. Tre hidrocentralet përgjatë kaskadës së Lumit Drin: Fierza, Komani dhe Vau i Dejës, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 1350 MW, prodhojnë rreth 70 përqind të furnizimit të përgjithshëm me energji elektrike në Shqipëri. Për më tepër, ato luajnë rol të rëndësishëm për lidhjen në tregun rajonal të energjisë./ata


Më të lexuarat