Secondary Adv

Rritet ekonomia ne 3-mujorin e trete: Tregtia me shumice dhe hotelet kontribut kryesor

Produkti i Brendshëm Bruto në tremujorin e tretë të vitit 2019 ka shënuar një rritje prej 3.81%, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. 

 

Burime nga INSTAT sqaruan për Monitor se kontributin kryesor në rritjen ekonomike në tremujorin e tretë e ka dhënë tregtia me shumicë, ku rritjen e kanë reflektuar të gjithë sektorët, nga karburantet te kompanitë e tjera të mëdha të shitjeve. Sipas tyre në rritjen ekonomike kanë kontribuar edhe hotelet dhe bar-restorantet (shërbimi ushqimore. Në total dega e ekonomisë tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor kanë kontribuar me 1.25 pikë përqindje. Gjithashtu në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të dytë kanë kontribuar pozitivisht edhe administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me 0.71 pikë përqindje, po ashtu edhe degët e Industrisë, Energjisë dhe Ujit me 0,67 pikë përqindje, ku ndikimin kryesor e ka dhënë industria nxjerrëse. Aktivitete të pasurive të paluajtshme kontribuuan në rritje me 0,29 pikë përqindje, Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit me 0,28 pikë përqindje, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit me 0,15 pikë përqindje. 

 

Efekti negativ në rritjen ekonomike i mbylljes së lojërave të fatit ka vijuar edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij vitit. INSTAT raportoi se aktiviteti i Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi me -0,63 pikë përqindje. Po ashtu negativisht ka kontribuar edhe ndërtimi, me 0.10 pikë përqindje, i ndikuar kryesisht prej aktivitetit në përfundim të projektit TAP. Për sa i përket degëve kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2019, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2018, shfaqen si më poshtë: Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,87 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 5,85 %. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë Industria nxjerrëse e cila ka shënuar një rritje me 16,56 %. 

 

Aktiviteti i Ndërtimit pati rënie me 1,14 %, i ndikuar kryesisht nga kompanitë e lidhura me projektin TAP. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 6,69 %, i ndikuar kryesisht nga Tregtia me shumicë, e cila shënoi rritje me 6,25 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 0,73 %. Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 12,07 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 5,18 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rritje prej 9,49 %. Grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë pësoi rritje 6,44 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje, Aktivitete të tjera shërbimi pati një rënie me 24,02 %./Monitor 


Më të lexuarat