
Formulari i kompensimit te dritave, afati i fundit deri ne 27 prill
Kush nuk e plotëson formularin për kompensimin e dritave, nuk do të përfitojë 648 lekë/në muaj kompensim për energjinë elektrike. Afati skadon më datë 27 prill, dhe sipas burimeve nga ministria, ai nuk do të shtyhet.
Burime nga Ministria e Mirëqenies Sociale konfirmuar se nuk do të ketë afat tjetër për të gjithë ata pensionistë që duan të përfitojnë nga kompensimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Sipas udhë- zimit të firmosur nga tre ministra, formularin, të cilin gazeta po e boton, duhet ta plotësojnë të gjithë pensionistët që kanë në emër të tyre faturën e dritave dhe janë kryefamiljarë pa asnjë të ardhur tjetër në familje. Afati për plotësimin është deri më 28 prill, dhe pas kësaj date, të gjithë ata që nuk rinovojnë dokumentet, nuk do të marrin kompensimin.
Cfarë përfitohet
Me vendimin e janarit, qeveria vendosi të kompensojë rritjen e çmimit të energjisë për të gjithë pensionistët kryefamiljarë që nuk kanë të ardhura të tjera. Pas vendimit doli edhe udhëzimi, i cili qartësonte kategoritë që duhet të plotësojnë formularin dhe afatet e plotësimit.
Formulari
Sipas këtij udhëzimi, të 83 mijë pensionistët që përfitonin kompensimenergjie para vitit 2015, do të merrnin automatikisht ditën që tërhiqnin pension, edhe shtesën e re prej 648 lekë/muaj. Por këta pensionistë, duhet të rifreskonin dokumentet dhe të plotësonin formularin e ri. “Rideklarimi për efekt të përfitimit të kompensimit sipas VKM nr.8/2015 dhe vlerësimi i kushteve për vazhdimin e kompensimit do të bëhet brenda 3 muajve nga fillimi i pagesave, duke bërë edhe sistemimin e efekteve financiare në rast të përfitimeve të padrejta”. Afati skadon më datë 27 prill, dhe sipas burimeve nga ministria, ai nuk do të shtyhet. Pra të gjithë ata që përfitonin kompensim para vitit 2015, duhet të plotësojnë formularin e ri që të vazhdojnë të përfitojnë kompensimin.
Edhe ata që plotësojnë kushtet për herë të parë, apo që dalin në pension gjatë këtij viti, duhet të plotësojnë dokumentet deri më datë 27 prill. “Përfituesit e rinj kualifikohen për përfitim vetëm pas deklarimit dhe dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara. Në këto raste e drejta e përfitimit të kompensimit fillon nga data 01.02.2015, por me kushtin që deklarimi të jetë bërë brenda datës 27.04.2015. Në raste të tjera e drejta e kompensimit do të fillojë nga muaji që bëhet deklarimi dhe dorëzohen dokumentet”, theksohet në udhëzim.
Kush e përfiton
Sipas ISSH, kompensimin e përfitojnë pensionistët kryefamiljarë të vetëm, kur përbërja familjare është vetëm dy pensionistë. Edhe në këtë rast, vetëm pensionisti kryefamiljar e merr kompensimin. Një tjetër kategori janë pensionistët kryefamiljarë, kur pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kanë të ardhura nga punësimi apo vetëpunësimi. Për të vërtetuar mungesën e të ardhurave të tjera, të gjithë pjesëtarët e familjes mbi 18 vjeç duhet të paraqitin vërtetimin e zyrës së punës që janë punëkërkues të papunë. Pra, në rastet kur pensionisti është kryefamiljar, por ka anëtarë të tjerë të familjes që përfitojnë të ardhura nga punësimi, nuk përfitojnë këtë kompensim./Panorama
Më të lexuarat








