Nis shperndarja e shperblimeve- ISSH: Filialet e postes do punojne me orar te zgjatur
Instituti i Sigurimeve shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare dhe bankat në vend kanë nisur shpërndarjen e bonusit prej 3 mijë lekësh për pensionistët.
Në një intervistë për News24 drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado thotë se janë disa kategori qytetarësh që përfitojnë bonus në fundvit. “Të gjithë pensionet familjarë, pensionet e invaliditetit, pensionet sociale, të gjithë personat që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi; veteranë luftë që nuk marrin pension tjetër ose invalid luftë por që nuk marrin një pension tjetër nga skema e detyrueshme; të gjithë ish-minatorët që përfitojnë pension për shkak të ligjit 150, të gjithë trajtimet e veçanta të minatorit, të ish-industrisë ushtarake”, sqaron drejtori i ISSH. Fondi që parashikohet të jepet nga buxheti për këtë qëllim arrin në masën e 2 miliard lekëve.
Vetëm në dy ditët e para të lëvrimit të fondit 190 mijë pensionistë kanë arritur ta përfitojnë atë, ndërkohë që Drejtori i ISSH Astrit Hado thotë se zyrat e postës shqiptare do të qëndrojnë të hapura me orar të zgjatur për të lëvruar edhe pjesën tjetër të fondit. “Në total, deri më sot janë bërë 136 mijë pensionistë që e kanë përfituar këtë lloj shpërblimi. Njëkohësisht të gjithë ata persona që e tërheqin pensionin me bankë janë kredituar në llogaritë e tyre dhe bëhet fjalë për 50 mijë qytetarë që i është kredituar llogaria me masën e shpërblimit dhe shkon tek 190 mijë persona që janë paguar. Pjesa tjetër gjatë ditëve në vijim. Posta do punojë me orare të zgjatur”, sqaroi Hado./Balkanweb