Nga 1 janari nis revolucioni dixhital i sherbimeve: 472 sherbime online per qytetaret
Nga 1 janari nis revolucioni dixhital në shërbimet për qytetarët me 472 shërbime që deri sot kërkohen në radhë nëpër sportele.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me disa nga punonjësit e administratës publike që po trajnohen për këtë proces, kryesisht punonjës që deri dje ishin në shërbim në sportele në institucione të ndryshme. Rama tha se “qytetarëve nuk do t’u kërkohen më dosje me dokumenta shtetëtorë, po vetëm dokumenta që janë individualë dhe të gjithë dokumentat shtetërorë të nevojshëm për dosjen do të sigurohen nga vetë administrata”. “Ju jeni në sportel, bëni shërbime për qytetarët. Kjo që do të ndodhi është një revolucion por që përtej faktit që lidhja online e mundëson është e domosdoshme që njerëzit të vihen komplet në dispozicion të kësaj.
Këtu nuk është thjesht çështja e mundësisë së vetme të aplikimit për shërbime online, por njerëzit të mos jenë të detyruar në sportel, por ta bëjnë aplikimin direkt nga telefoni ose një kompjuter në shtëpi, te posta, njësia administrative etj”, tha Rama. Po ashtu, qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel për të marrë shërbimin në afatin e përcaktuar ligjor. Ky revolucion, sipas Kryeministrit, “do të zhdukë të gjitha radhët për këto aplikime, do të shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim dhe do të eliminojë masivisht rryshfetin”.
“Në qershor do të hyjë online blloku i dytë i shërbimeve dhe deri në fund të vitit 2020 të gjitha shërbimet (me pak përjashtime të paevitueshme dot për shkak të nevojës së paraqitjes së personit për një aplikim) do të bëhen online në https://e-albania.al”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “thelbi është që qytetarët që do të aplikojnë për këtë bllok të parë shërbimesh, pastaj një bllok të dytë në qershor, deri në fund të 2020 të gjitha shërbimet do të jenë online, me përjashtim të shumë pak shërbimeve”. “Qytetarët të mos shkojnë më në dyer të tjera për të marrë dokumente që janë brenda shtetit, por do të aplikojnë për të marrë një shërbim dhe do të postojnë online vetëm dokumentet personale, dokument banke apo tjetër.
Të gjitha ato gjëra që janë brenda shtetit do t’i merrni ju. Pra, kolona e dokumenteve të shtetit në aplikimin e qytetarit do të mbushet nga brenda administratës dhe në fund qytetari do të marrë shërbimin që kërkon në kohë”, tha Rama. Kjo, sipas Kryeministrit, është fillimisht një punë e vështirë, sepse kërkon ndryshimin komplet të sistemit të punë. “Duhet të jeni në shërbim të qytetarit dhe ju, që jeni ndërmjetës me institucionet e tjera keni barrën që të shkoni pas institucioneve dhe atë që deri dje e bënin qytetarët ta bëni ju”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “ky është një sukses i madh i përbashkët, por në radhë të parë i qytetarëve pasi shkurtojmë kohë dhe eliminohet mundësia për rryshfet”./ata