UKT shpall tenderin: Projekti siguron uje 24 ore per 25 vitet e ardhshme
Ujësjellës Kanalizimet Tiranë kanë shpallur tenderin me fond 67.8 milionë lekë në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Bëhet fjalë për një investim me perspektivë 25 vjeçare për qytetin e Tiranës. Sipas detajeve të tenderit, kryeqytetasit nuk do të “vuajnë” më për ujë, pasi do të ketë furnizim 24 orë në 24. Projektimi vjen mbështetur në studimin e masterplanit të zhvillimit teknik nga Budapest WaterWorks dhe Lorenco & Co. “Problem mbetet për zonat furnizimi me ujë 24 orë, gjë që sot bëhet nëpërmjet sistemit të depozitave të vendosura në tarracat e godinave të ndërtuara para viteve ’90 tokësore dhe depozitave nëntokësore nëpërmjet një sistemi me pompa te investuar nga vetë qytetarët. Rrjeti Shpërndarës fillon nga depot dhe përfundon te konsumatori. Rrjeti shpërndarës i Ujësjellësit të Tiranës është dy llojesh: Rrjet i Hapur dhe Rrjet Unazor.
Në përgjithësi në Tiranë dominon rrjeti i hapur, ndërsa rrjeti unazor ndeshet vetëm në zona të vogla. Në përgjithësi rrjeti i hapur është një rrjet që sjell probleme në kushtet e pikut për kërkesë për ujë” specifikohet në tender. Rrjeti Unazor për furnizim me ujë 24 orë pritet të bëhet nëpërmjet përfundimit të fazës së dytë të Ujësjellësit me vetë rrjedhje të burimeve të Shën Mërisë, ndërtimin e dyfishimit të kapacitetit të Bovillës dhe me ndërtim të Ujësjellësit të Gurit të Bardhë. Aktualisht, Tirana furnizohet nga 3 lloje burimesh ujore; burimet sipërfaqësore, nëntokësore, me ngritje mekanike dhe me burime me vetërrjedhje. Përpos kësaj, edhe nga stacionet e pompimit nga ujërat nëntokësore. Projekti është i ndarë në lote dhe ka një afat kohor për ekzekutim 6 muaj, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues./Scan