
Zbardhet drafti: Si do funksionoje sigurimi i detyrueshem i banesave dhe sa paguhet
Do paguajmë me detyrim 15-25 euro për sigurim banese dhe kompensimi në rast dëmesh do të jetë nga 15 mijë deri në 25 mijë euro.
Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, qeveria dhe Autoriteti Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kanë nxjerrë nga “pluhuri” projektligjin, që detyron të gjithë qytetarët ta bëjnë të detyrueshëm sigurimin e banesave nga tërmetet. Drafti teknik paraprak është hartuar në kuadër të Projektit mbi asistencën teknike të Bankës Botërore të financuar nga FIRST dhe rregullon sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë. Shuma e sigurimit, sipas këtij Ligji, është shuma e garantuar e dëmshpërblimit, për të gjitha dëmet e ndodhura në pronën e sigurueshme, të shkaktuara nga një apo disa ngjarje tërmeti të ndodhura gjatë periudhës së vlefshmërisë së një kontrate të sigurimit të detyrueshëm nga tërmetet.
Primet sipas banesave nga 15-25 euro/vit
Projektligji për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat ka ndarë disa lloje ndërtimesh. Lloji i Ndërtimit” A (Beton i armuar): nënkupton strukturat e siguruara, qoftë skeletit betonarme ose skelet beton arme me mbushje murature ose muraturë, të cilat janë të projektuara për t’i bërë ballë ngarkesave anësore. “Lloji i Ndërtimit” B (Muraturë e të tjera): nënkupton të gjitha strukturat e siguruara që nuk përfshihen në Kategorinë e Ndërtimit A (Beton i armuar). Sipas ligjit, primi i sigurimit nënkupton koston financiare që duhet të paguhet për marrjen e mbulimit të sigurimit, sipas këtij Ligji. Primet e sigurimit paguhen nga pronari i pronës së sigurueshme ose si një shumë e barabartë me primin vjetor të sigurimit para fillimit të sigurimit të detyrueshëm për tërmetin.
Primi i sigurimit do të jetë 25 Euro, për risqet e siguruara për ndërtimet me beton dhe 15 Euro, për risqet e siguruara nga ndërtimet me muratura të tjera. Kompensimi në rast dëmi ose shuma e sigurimit duhet të jetë e barabartë me kufirin e saj të detyrueshëm, me ekuivalentin e 25,000 Euro për llojet e ndërtimit A dhe 15,000 Euro, për llojet e ndërtimit B. Pjesa e zbritshme është në nivelin e 2 (dy) për qind të vlerës së dëmit edhe mbulohet nga subjekti i siguruar për çdo dëm që shkaktohet nga ngjarjet e tërmetit të mbuluara nga sigurimi i detyrueshëm ndaj tërmeteve. Ky sigurim mbulon gjithashtu sendet brenda banesës, deri në 10 (dhjetë) për qind të shumës së sigurimit në varësi të llojit të objektit të siguruar.
Ky sigurim i detyrueshëm tërmeti përjashton si më poshtë: humbjet që lidhen me heqjen e mbeturinave, fitimin e munguar, ndërprerjen e biznesit, humbjen e qerasë, banesë alternative dhe shpenzimet e zyrës, detyrimet ligjore dhe humbjet e ngjashme pasuese; të gjitha lëndimet trupore duke përfshirë edhe vdekjen; kërkesa për kompensim të dëmeve morale dhe humbjet përveç atyre të shkaktuara nga tërmeti dhe zjarri, shpërthimi, tsunami, rrëshqitje e tokës, ulje (zhvendosje) të shkaktuara nga tërmeti./Monitor
Më të lexuarat









