Secondary Adv

Vlora dhe Durresi marrin 6.5 miliarde leke nga qeveria

 

Mbi 5 miliardë lekë  (5,010,715,381 lekë) u bënë aktive dje nga qeveria për projektet e nisura qysh në vitin 2014 në njësi të ndryshme vendore. Ndërsa 1.5 miliardë lekë të tjera shpallen për projekte të reja që duhet të aplikohen deri në mes të muajit prill 2015. Këto financime akordohen nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, i cili kryesohet nga Kryeministri.


Më 16 mars, është marrë vendimi për shpërndarjen e financimit për projektet në vazhdim për nënprogramin e infrastrukturës vendore dhe rajonale, ndërsa dje është publikuar në Fletoren Zyrtare. Ky vendim përfshin projekte në vazhdim, me cikël financimi 2014-2015.
90 projekte vendore
Lista ka 90 projekte, nga të cilat, 14 i përkasin Qarkut të Vlorës, duke filluar me ndërtimin e bulevardit qendror të Finiqit dhe mbyllet me projektin e hedhjes së rërës në plazhin e Vlorës, pranë Lungomares.


Në listë janë edhe 11 projekte të Qarkut të Tiranës, ku bien në sy disa projekte të infrastrukturës brenda kryeqytetit, të cilat do të zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Gjithsesi, edhe Bashkia e Tiranës merr financime për tri projekte të infrastrukturës.
Më të kënaqur nga kjo listë duhet të kenë mbetur pushtetarët e Qarkut të Durrësit, ku financohen jo pak, por 18 projekte. Lista e Durrësit fillon me projektin për ngritjen e murit rrethues të portit dhe mbyllet me rikonstruksionin e rrugëve të brendshme të qytetit.
Edhe Qarku Gjirokastër ka marrë fonde të konsiderueshme. Janë 10 projekte të financuara nga ky komitet kryesisht për Bashkinë e Gjirokastrës, por edhe në Tepelenë, Memaliaj, Përmet, Këlcyrë e Çarshovë. Janë kryesisht rrugë, ura, sheshe, trotuare që do të riparohen.
Në të njëjtën mbledhje, Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve ka bërë shpalljen e thirrjes së tretë për shpërndarjen e fondeve për projekte të infrastrukturës vendore dhe rajonale, në vlerën 1 500 000 000 (një miliard e pesëqind milionë) lekë, pjesë e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve për vitin 2015. Kjo thirrje për aplikim përfshin projekte në  përmirësimin e aksesit dhe lëvizshmërisë; rivitalizimi i poleve urbane dhe qendrave rajonale, vendore dhe ndërvendore; dhe promovimi i atraksioneve turistike (infrastrukturë rrugore me interes turistik, ndërajonal).


Gjithashtu, është shpallur thirrja për shpërndarjen e fondeve për projekte të nënprogramit art-kulturë, pjesë e Fondit për Zhvillimin e Rajoneve për vitin 2015. Këto janë projekte për fuqizimin e konservimit, mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes rehabilitimit të mjediseve të artit dhe kulturës. Afati i paraqitjes së projektideve është data 30 mars 2015, ndërsa për aplikimin e projekteve për thirrjen e dytë, jo më vonë se 15 prill 2015.
Për projektet e thirrjes së dytë, komiteti ka vendosur afatin 30 prill 2015. Institucionet aplikuese janë njësitë e qeverisjes qendrore, vendore e partneritetet rajonale, si edhe institucionet e organizatat për zhvillim, agjencitë zbatuese e zhvillimore./Gazeta Shqip


Më të lexuarat