Nis aplikimi i takses se baneses ne Tirane: Ja sa te ardhura do siguroje Bashkia
Mbi 60% e qytetarëve të Tiranës kanë bërë deklarimin vullnetar të sipërfaqes së banesë dhe kanë paguar taksën e ndërtesës sipas vlerës së tregut gjatë Dhjetorit.
Mbi 60 për qind e qytetarëve të Tiranës kanë bërë deklarimin vullnetar të sipërfaqes së banesës që kanë në pronësi dhe kanë paguar taksën e ndërtesës sipas vlerës së tregut gjatë muajit Dhjetor, ndërsa për pjesën tjetër është aplikuar taksa me sipërfaqen e prezumuar sipas legjislacionit në fuqi. Sipas ujësjellës Kanalizime Tiranë, kjo kategori ka mundësi që të bëjë vetë-deklarimin në mënyrë që të paguajë referuar vlerës së pronës dhe sipërfaqes reale, ndërsa grupet po bëjnë verifikime në terren. Taksa e pasurisë është ndër burimet më me peshë në buxhetin e Bashkisë Tiranë dhe përbën 13% të totalit të të ardhurave të veta.
Niveli i taksës i shprehur në përqindje si për ndërtesat që përdoren për qëllime banimi edhe për ndërtesat që shfrytëzohen për veprimtari ekonomike, aplikohet mbi vlerën e ndërtesës (çmimi i shumëzuar me sipërfaqen) në masën respektivisht 0.05% dhe 0.2%. Në vitin 2020, të ardhurat nga taksa e ndërtesës janë parashikuar në vlerën e rreth 2,7 miliardë lekëve apo 22 milionë eurove, ku nga kategoria familjare do të mblidhen 769 milionë lekë, ndërsa peshën më të madhe do ta mbajë kategoria e biznesit, nga ku parashikohet të mblidhen 1.9 miliardë lekë. Për 2019-ën plani ka qenë rreth 2.6 miliardë lekë, ndërsa realizimi në 1.9 miliardë lekë./Burimi: SCAN