Edhe Kadastra do ofroje sherbime online- Lame: Ja kur kalon ligji i pronave
52 nga 472 shërbimet që kaluan online nga data 6 janar i përkasin Kadastrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame së bashku me Dhomën e Noterëve nënshkruan sot një marrëveshje. Por cfarë synon kjo marrëveshje? Drejtoresha e Dhomës së Noterëve Mimoza Sadushaj shpjegoi se shkëmbimi i të dhënave në kohë reale do të zhdukë korrupsionin. "Dhoma kombëtare ka tre vite që po punon për qasjen dixhitale dhe sot kemi nderin të aplikojmë me anë të marrëveshjes së parë. Jo më shërbime prefernciale duke garantuar barazi për qytetarët. Duam të rrisim transparencën për të informuar qytetarët. Të dhënat do të shkëmbehen në kohë reale duke zhdukur korrupsionin.
Kjo marrëveshje firmoset kur është vënë në jetë shërbimi online. Për veprimet e hartimit të kontratës dhe firmojes elektronike nga noteri dhe dërgimi i aplikimit në formë dixhitale te Kadastra për procesim të mëtejshëm në formë elektronike" tha ajo. Artan Lame u shpreh se marrëveshja që është firmosur synon të garantojë shpejtësi, saktësi dhe pastërti. Lame theksoi më pas se në fund të janarit shpreson që të kalojë ligji për pronat. "Shpresoj që brenda fundit të janarit të kalojë edhe ligji për proceset tranzitore të pronësisë, që na hap një fushë të re bashkëpunimi me të gjitha institucionet shtetërore, por edhe një masë të paparë pune mbi vetë Kadastrën.
Ligji është në proces diskutimi pas vërejtjeve nga Komisioni i Venecias. Miratimi i ligjit hap fushë për riformatimin e legalizimeve të mbetura, regjistrimin e tokës bujqësore për të mbyllur kapitullin e 7501" përfundoi ai. Por si mund të bëhet një aplikim online? Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online./Burimi: Shqiptarja.com