
Investimet ne Sarande, ja projektet e Jugut
Qytetit të Sarandës i është rikthyer kurora e gjelbër, me një fond të qeverisë prej 16.6 milionë lekë është bërë pyllëzimi dhe gjelbërimi. Kreu i qeverisë vizitoi dhe landfillin e Bajkajt, një ndër projektet më të mëdha në jug të vendit për menaxhimin e mbetjeve urbane.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja për Zhvillimin Urban, Eglantina Gjermeni, por dhe nga deputetët e qarkut, Koço Kokëdhima, Andrea Marto dhe Mira Shehu, është ndalur dje në Sarandë për të inspektuar investimet e rëndësishme që po kryhen në këtë zonë. Në fjalën e tij, kryeministri Rama e konsideroi këtë vepër si tepër të rëndësishme për pastrimin e zonës nga mbetjet urbane.
Sipas tij, në këtë mënyrë po çelet rruga për zhdukjen e gangrenës 25-vjeçare të krijuar nga plehrat e hedhura kudo nëpër zonën e mrekullueshme turistike të Shqipërisë. Kreu i qeverisë inspektoi gjithashtu edhe punimet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza. Ky investim i jep zgjidhje përfundimtare ndotjes së ujërave të bregdetit të Sarandës dhe Ksamilit. Investimet në bregdetin Jon Ndalesa e parë e Ramës ishte dje në fshatin Bajkaj në Sarandë ku po ndërtohet landfilli rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane për bregdetin e jugut. Aktualisht ka përfunduar faza e parë e ndërtimit, një investim që shkon në total 5.6 milionë dollarë.
Duke theksuar rëndësinë e projektit për pastrimin dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në bregdetin e jugut, Kryeministri e konsideroi një pikë kthese historike për turizmin në Shqipëri. “Qëllimi i parë është që të pastrohen të gjitha vatrat e infektuara nga vendgrumbullimet pa asnjë standard dhe nga plehrat e mbledhura kuturu nëpër vite dhe pastaj të garantohet që i gjithë sistemi i mbledhjes në gjithë njësitë vendore në Himarë, në Sarandë dhe në Konispol të funksionojë, në mënyrë që ky investim të kthehet në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore të të gjithë zonës”, - tha Rama.
Në këtë kuadër, shtoi ai, ndihmon edhe reforma territoriale, sepse buxhetet e komunave të sotme do të unifikohen. “Reforma territoriale ndihmon shumë në këtë aspekt, sepse nuk është më fjala për dhjetëra komuna me buxhete mjerane dhe me burime njerëzore të pamjaftueshme, por është fjala për 5 bashki, të cilat do të kenë buxhete të mjaftueshme dhe do të kenë në dispozicion mundësitë për të pasur burimet njerëzore të kualifikuara, në mënyrë që gjithë ky thesar turistik të çlirohet nga makthi i plehrave që faktikisht kanë dëmtuar shumë edhe imazhin, edhe dëshirën e shumë turistëve për të ardhur në këtë zonë. Kështu që kjo është një pikë kthese historike për zonën dhe për turizmin në Shqipëri”, - u shpreh kryeministri.
Landfilli me kapacitet 365 000 m3 është llogaritur për depozitimin e 25 000 m3/vit mbetje. Me reformën e re territoriale do t’i shërbejë bashkive Sarandë, Himarë dhe Delvinë. Ai do të mundësojë mbylljen e venddepozitimeve ekzistuese të mbetjeve urbane, duke i shërbyer të gjithë zonës bregdetare të jugut. I pajisur me impiantin e përpunimit të ujërave, do të reduktojë maksimalisht ndotjen e ujërave nëntokësore. Landfilli i Bajkajt vlerësohet të sigurojë grumbullimin dhe menaxhimin e integruar të mbetjeve për 20 vitet në vazhdim.
Ky projekt i rëndësishëm është pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonave bregdetare. Infrastruktura dhe rehabilitimi i mjedisit të bregdetit të jugut është komponenti më i rëndësishëm i këtij projekti, me vlerë të përgjithshme 35 milionë dollarë. Kryeministri Rama inspektoi gjithashtu edhe punimet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza që i jep zgjidhje përfundimtare ndotjes së ujërave të bregdetit të Sarandës dhe Ksamilit.
Kryeministri theksoi rëndësinë e këtij investimi, veçanërisht për dhënien fund të derdhjes së ujërave të zeza në det. “Ky është një investim që çliron Sarandën dhe Ksamilin bashkë, edhe që kishte vite të tëra i bllokuar. Para të tjera të hedhura, si në shumë projekte të tjera me financime të huaja, pa marrë parasysh as se si do të funksionojë, as se si do të mirëmbahet. Është gjë e madhe që u vu në punë. Tani, me investimin e fundit, për të bërë lidhjen deri të hotel “Butrinti”, përfundon dhe mbyllet skema dhe s’ka më ujëra të zeza të hedhura nëpër det e nëpër rrugë”, - u shpreh kreu i ekzekutivit. Prej vitesh impianti nuk funksiononte, pasi nuk ishte realizuar lidhja e tubacioneve ndërmjet impiantit dhe linjës e kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit.
Sarandë, 16.6 milionë lekë për gjelbërimin
Qytetit të Sarandës i është rikthyer kurora e gjelbër e tij. Me një fond të qeverisë prej 16.6 milionë lekë është bërë pyllëzimi dhe gjelbërimi i kurorës së qytetit. Një sipërfaqe prej 50 hektarë është mbjellë me pishë mesdhetare dhe selvi. Kryeministri Rama i shoqëruar nga deputetë të zonës, inspektoi punën e bërë në terren. Drejtori i Drejtorisë Pyjore Sarandë, Kristo Kauri tha se falë këtij fondi, kurorës së Sarandës i janë shtuar 22 mijë pisha dhe 4215 selvi. “Kjo kurorë duhet mbrojtur me çdo çmim. Këtu investimi është 16.6 milionë lekë dhe ishim privilegjuar si Sarandë, që na ndihmuat për këtë”.
Kreu i qeverisë ka garantuar se rifitimi i gjelbërimit në gjithë Shqipërinë është objektiv i qeverisë, ndërsa siguroi se mbështetja do të shtrihet edhe në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve. “Do të gjejmë edhe mundësinë që të mbështesim për ruajtjen dhe mirëmbajtjen, se pa ruajtjen dhe mirëmbajtjen është gjithçka e hedhur në det. Këtë vit, në vitin e parë kemi mbjellë në tërë Shqipërinë 2.5 milionë fidanë dhe objektivi është që deri në fund të mandatit të shkojmë në 10 milionë, sigurisht në këtë volum, bregdeti zë vendin e vet dhe Saranda zë vendin e vet”, - tha Rama. Rivitalizimi i kurorës së gjelbër të qytetit ka impakt jo vetë në përmirësimin e peizazhit natyror, por edhe të parametrave mjedisorë.
Investimet në jug të vendit
Landfilli i Bajkajt
Landfilli i Bajkajt një ndër projektet më të mëdha në jug të vendit për menaxhimin e mbetjeve urbane për 20 vitet në vazhdim. Aktualisht ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të tij, një investim që shkon në total 5.6 milionë dollarë. Landfilli me kapacitet 365 000 m3 është llogaritur për depozitimin e 25 000 m3/vit mbetje. Ky projekt i rëndësishëm është pjesë e një projekti të financuar nga Banka Botërore për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonave bregdetare. Infrastruktura dhe rehabilitimi i mjedisit të bregdetit të jugut është komponenti më i rëndësishëm i këtij projekti, me vlerë të përgjithshme 35 milionë dollarë. Nga ky projekt është financuar me sukses edhe ndërtimin e stacionit të transferimit të mbetjeve në Himarë, me vlerë 608 504 dollarë.
Impianti i trajtimit të ujërave të zeza
Ky projekt i jep zgjidhje përfundimtare ndotjes së ujërave të bregdetit të Sarandës dhe Ksamilit. Prej vitesh impianti nuk funksiononte, pasi nuk ishte realizuar lidhja e tubacioneve ndërmjet impiantit dhe linjës e kanalizimeve të ujërave të zeza të qytetit. Vitin e kaluar, falë një investimi të Drejtorisë së Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve nisi puna për përfundimin e projektit dhe vënien e impiantit në funksion.
Kurora e gjelbër e qytetit
Me një fond të qeverisë prej 16.6 milionë lekë është bërë pyllëzimi dhe gjelbërimi i kurorës së qytetit. Një sipërfaqe prej 50 hektarë janë mbjellë 22 mijë pisha mesdhetare dhe 4215 selvi. Plani i qeverisë synon qe brenda këtij mandati të mbillen gjithsej 10 milionë fidanë bimë të ndryshme ëpr të rikthyer gjelbërimin në zona të ndryshme të vendit. Në vitin e parë në tërë Shqipërinë janë mbjellë 2.5 milionë fidanë.
Shëtitorja në Qeparo
Projekti për shëtitoren e Qeparosë parashikon sistemimin e infrastrukturës nëntokësore, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçim, në funksion të rritjes së turizmit për të gjithë zonën.
Qeparoi ishte ndalesa e radhës e kryeministrit Edi Rama, ku, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Himarës Jorgo Goro, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj dhe deputeti i zonës Koço Kokëdhima inspektoi punimet për ndërtimin e shëtitores buzë detit. Projekti parashikon sistemimin e infrastrukturës nëntokësore, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimin. Kryetari i bashkisë së Himarës theksoi se kësaj zone i kanë munguar investimet nga qeveritë e mëparshme, por falë investimeve të tanishme, pamja e zonës po transformohet rrënjësisht, banorët do të ketë mundësi edhe më të mëdha për të investuar në funksion të rritjes së turizmit për të gjithë zonën. Goro shtoi se ndarja e re territoriale pritet të sjellë edhe më shumë investime në këtë zonë, pasi Himara bëhet një bashki e madhe. “Ne besojmë që Qeveria edhe me organizimin e ri që po i bëhet këtij rajoni, duke e kthyer në një bashki të madhe, do t’i kthejë dhe do ta ketë nën vëmendje ashtu siç e ka dhe sot, edhe në vazhdimësi”, - tha kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro.
Për kreun e Ekzekutivit, këto investime që po realizohen dhe transformimet që po kryhen do të jenë në funksion të turistëve që këtë sezon veror, por njëkohësisht, u japin mundësi vetë banorëve të investojnë, gjithnjë, duke ruajtur karakteristikat. “Ky është një model i ri i zhvillimit të zonës duke e vendosur bregdetin Jon nën mbrojtje nga inercia e barbarisë së shumë viteve, duke e transformuar në një hapësirë të rilindur turistike. Duke i mikpritur vizitorët dhe turistët që vijnë nga pjesë të tjera të Shqipërisë apo edhe nga jashtë vendit, me një pamje dhe me një përmbajtje tërësisht të transformuar”, - tha ai.
Rama pranoi se ka ende shumë për të bërë, por këto projekte tha ai janë nisja e transportimit të shumë pritur. “Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë, por jam i bindur që të gjithë ata që do të vijnë në këtë sezon në bregdet dhe posaçërisht në Qeparo do të shohin me sytë e tyre se transformimi i filluar premton shumë dhe se Rilindja Shqiptare në këtë zonë kaq të pasur dhe kaq të mrekullueshme turistike do të sjellë çka, për fat të keq, i ka munguar zonës dhe gjithë vendit për 20 vjet të tëra”, - u shpreh Kryeministri Edi Rama./Shekulli
Më të lexuarat








