Secondary Adv

Mbledhja e qeverive Shqiperi-Kosove, ja 16 propozimet e biznesit

 

Përfaqësuesit e biznesit nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat shqiptare kanë kërkuar përkrahje. Ndërsa Dhoma Kombëtare Tregtare ka dhënë rekomandimet për dy qeveritë për të krijuar lehtësira për biznes.

 


Sipërmarrësit kanë kërkuar lehtësim të procedurave doganore dhe unifikim të tyre, për krijimin e një tregu të përbashkët Shqipëri-Kosovë. Po ashtu, biznesi kërkon që të jetë i pranishëm në mbledhjet që zhvillojnë dy qeveritë, që të ketë mundësi për të propozuar dhe miratuar masat që do t’i hapin rrugë zbatimit të tyre.


Dhoma Kombëtare Tregtare ka dhënë rekomandimet për dy qeveritë për lehtësira për biznes, pas konsultimeve që kanë pasur me bizneset shqiptare nga të gjitha viset. Përfaqësuesit e saj nga Shqipëria, Kosova dhe nga trevat shqiptare kanë kërkuar përkrahje me qëllim të zhvillimit më të fuqishëm ekonomik.
Përfaqësuesit e Dhomës Kombëtare Tregtare, kanë kërkuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Kosovës, Isa Mustafa që t’i marrin seriozitet propozimet dhe t’i zbatojnë ato në praktikë. Agim Shahini, president i Dhomës Kombëtare Tregtare, tha se janë 16 propozime për Qeverinë e Shqipërisë dhe atë të Kosovës për mbledhjen e përbashkët të tyre me 23 mars, në Tiranë.


Propozimet:
•    Të publikohet në faqen zyrtare, lista e detajuar e produkteve të gatshme dhe repromaterialeve, ambalazhimeve që importohen në Shqipëri dhe Kosovë, në sasi që mund të shërbejnë si ide bazë për t’iu qasur prodhimit të ri dhe zgjerimit të kapaciteteve të prodhimit ekzistues, ku vend të veçantë duhet të zënë produktet ushqimore dhe bujqësore.
•    Të trajtohen produktet e prodhuara në Shqipëri e Kosovë si produkte me prejardhje nga këto dy vende, pra çdo prodhim të jetë i pajisur me EUR 1. Ky është model më i avancuar në raport me marrëveshjen CEFTA.
•    Të hiqen taksat doganore në lëndë të parë, repromateriale dhe ambalazhime për të gjitha produktet dhe nga të gjitha shtetet, përveç nëse këto lëndë të parë, repromaterial dhe ambalazhime ka sasi të mjaftueshme në këto dy shtete.
•    Të implementohen arkat fiskale në të dy shtetet, si aktivitet që paraqet një kulturë blerëse dhe barazim në mes akterëve ekonomik të kategorive të njëjta.
•    Të luftohet informaliteti dhe korrupsioni, si dukuri negative të shoqërisë kombëtare.
•    Të hiqet dorë nga ndikimi politik dhe individual nga organet e drejtësisë, prokurimit publik, të kontrollit dhe kompanive publike.
•    Të trajtohen bizneset të barabarta dhe jo politika selektive dhe favorizuese apo të grupeve të interesit, sepse kjo e dëmton konkurrencën e drejtë.
•    Të krijohet ambienti ligjor dhe pako e re investuese për prodhimtari rentabile dhe mbushje të qëndrueshme të buxhetit shtetëror.
•    Radiotelevizionet publike të jenë në funksion të promovimit të prodhimtarëve të dy shteteve në funksion të ngritjes së informimit për sasinë dhe cilësinë që nxjerrin këto prodhimtari.
•    Planifikimi i eskurzioneve të gjeneratës së re të nxënësve, në të dy shtetet ku në planprogramin e tyre të jenë edhe vizitat e ekonomive prodhuese dhe këta të jenë pionierë të gjenerimit të konsumit të produkteve kombëtare.
•    Të identifikohen dhe të mbështeten top-kompanitë mbarëkombëtare, që të bëhen të njohura me qëllim eksporti për vendet e BE-së dhe më gjerë.
•    Të krijohet një program i ri i lidhjeve zinxhirore: prodhuesve-përpunuesve dhe qendrave tregtare në mes vendeve mbarëkombëtare, p.sh. përpunues nga Kosova- prodhimi final-Shqipëri dhe tregu-qendrat tregtare dhe anasjellas në këtë rast të njihet Certifikata EUR 1.
•    Të subvencionohen produktet me lirim të TVSH-së për 2 % për një periudhë katër vjeçare, që janë të prodhuara në Shqipëri dhe Kosovë, me qëllim të rritjes së interesit për të konsumuar dhe tregtuar me këto produkte kombëtare.
•    Të promovohen produktet kombëtare në trevat mbarëshqiptare, rajonale, evropiane dhe më gjerë.
•    Të pranohet nga dy qeveritë nga një përfaqësues i Dhomës Kombëtare Tregtare, si vëzhgues në mbledhjet e rregullta qeveritare./Shekulli


Më të lexuarat