Secondary Adv

Eksportet e mbyllin 2019 me renie: Tre grupet kryesore me performance negative

Eksportet e mbyllën vitin 2019 me një performancë negative, për herë të parë në katër vitet e fundit. 

 

Të dhënat e INSTAT treguan se totali i produkteve të shitura jashtë vendit për periudhën janar-dhjetor ishte rreth 300 miliardë lekë, me një tkurrje prej rreth 3.8% në raport me vitin e mëparshëm. Importet në kahun tjetër janë rritur me 1.2%, duke bërë që deficiti tregtar të thellohet me 5.8%. Të tre grupet kryesore të eksporteve “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike,”, “Tekstile dhe këpucë”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, që zënë mbi 70% t totalit, kishin performancë negative. Me rritje ishin vetëm “Ushqime pije e Duhan” dhe “makineri e pajisje”, që zënë të dyja bashkë 19% të totalit të eksporteve. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve tha për Monitor se që në fillim të 2019-s kjo tendencë ishte e pritshme. “Nuk po targetohet mirë mbështetja ndaj eksporteve”, tha ai.

 

“Kursi i këmbimit ka penguar kontratat, ndërsa mungesa e punonjësve ka sjellë ulje të produktivitetit”. Për më tepër që eksportet janë të varura nga faktorë rastësorë, si shiu për energjinë, apo koha e mirë që favorizoi prodhimet bujqësore. “Ka mungesë të theksuar të politikave publike për të konsoliduar prodhimin vendas dhe ta çuar drejt tregjeve të reja”, shtoi ai. Tekstilet dhe këpucët, që janë zëri kryesor i eksporteve, me rreth 40% të totalit, shënuan një rënie prej 4.5% me bazë vjetore, duke zbritur në 118 miliardë lekë. Ky është viti i parë me rënie, që nga 2014-a, pasi sektori kishte njohur një performancë pozitive katër vitet e fundit. Operatorët e tregut pohojnë se rënia lidhet me zhvlerësimin e euros, që ka gërryer fitimet e fasonistëve si dhe ndryshimet në tregjet ndërkombëtare që po reflektojnë tendencën e blerësve drejt modës së shpejtë. 

 

Edhe ndryshimi i klimës ka riformatuar sezonet duke ndikuar në kërkesën e partnerëve të huaj. Zoti Skënder Pashai, i kompanisë së prodhimit të këpucëve Fital tha se, sektori i fason është futur në rënie të lirë, duke bërë me faj për këtë situatë nënçmimin e euros dhe kërkesën e vakët në tregjet ndërkombëtare. Tkurrja e tekstileve e këpucëve është përshpejtuar në dhjetor, si rrjedhojë e efekteve të tërmetit, sidomos në zonën e Durrësit, ku veprojnë shumë kompani që punojnë me material porositësi. Nazmi Grori, nga Naber Konfesion, një prej më të mëdhave në Durrës tha se përveçse prodhimi u ndërpre për disa ditë, ai kishte vështirësi të kthente në punë punonjësit, që ishin larguar prej tërmetit. Në dhejtor, eksportet e tekstile e këpucë ranë me 11.2%, më shumë se dyfishi i rimit vjetor të tkurrjes për 11 mujorin që kishte parë ky sektor.

 

Eksportet e “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, grupi i dytë më i madh, me 17% të totalit, shënuan një rënie prej 11%, në 50 miliardë lekë. Ndikim kishte rënia e energjisë për shkak të motit pa reshje. Burime nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh i naftës në vend, pohuan se ecuria e tyre ka qenë pozitive muajt e fundit, sidomos në dhjetor, pasi e kanë eksportuar gjithë naftës dhe nuk kanë furnizuar më Tosk Energy. Gjithsesi për gjithë vitin, eksportet e Bankers janë me rënie, e reflektuar dhe në tkurrjen e shitjeve drejt Spanjës, që është destinacioni kryesor i Bankers, përmes kontraktorit të saj, CEPSA. Në dhjetor, eksportet drejt Spanjës u rritën me më shumë se 40%. Edhe grupi i tretë “Materiale ndërtimi dhe metale” vijon tendencën negative, duke rënë me 15% për 2019-n.

 

Pesha e këtij grupi ka zbritur në 15% të totalit nga 17% në 2018-n. Arif Shkalla, drejtor financës bë Kurum, kompanisë së prodhimit të çelikut dhe eksportuesit më të madh të këtij grupi, tha se tendenca e tyre ka qenë e qëndrueshme në sasi, por ndikimi ka ardhur nga rënie e çmimeve të shitjeve, çka ka çuar në tkurrjen e eksporteve në vlerë. Çmimi i hekurit ka rënë me rreth 70-80 euro për ton. Edhe eksportuesit e tjerët të këtij grupi, ato të çimentos e tullave, nuk kanë pasur një aktivitet pozitiv. Mario Braçi i Titan group ka pohuar se ka vështirësi për të rritur eksportet nga Porti i Durrësit, që ka limitime të cilat kërkojnë investime të mëdha në infrastrukturë. Kostot e karburanteve, shton ai, janë rritur me të paktën 15%. Po të ishte në një linjë me konkurrentët tanë do të ishim me konkurrues. 

 

“Italia është një konkurrent kryesor në fushë por nuk ka këto taksa që prekin prodhimin”. Në rritje të ndjeshme këtë vit ishin ushqimet e pijeve dhe duhanit, me zgjerim 9.4%, në 35 miliardë lekë, të favorizuara nga moti i ngrohtë në nëntor. Pesha e këtij grupi ka arritur në 12%. Një sektor në rritje është dhe ai i “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi,”, eksportet e të cilit u zgjeruan me 16% për 12 mujorin, duke zënë gati 7% të totalit. Zhvillimi i industrisë mbështetëse automotive ka ndikuar në këtë tendencë pozitive. Rritja e pranisë së disa prej kompanive kryesore gjermane e franceze po jep efektin e saj pozitiv. Gjermanët e Forschner dhe PSZ Albania dhe francezët e Delmon janë aktivë, ndërsa po ngrihet dhe fabrika e koreanojugorëve të Yura

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:

Eksportet gjatë këtij viti janë ulur me 3,8 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar negativisht në uljen vjetore të eksporteve janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,5 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,8 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Ushqim, pije, duhan” me +1,0 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me +0,9 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me +0,5 pikë përqindje.

 

Deficiti tregtar në rritje

Në vitin 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 299 mld lekë duke u ulur me 3,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 649 mld lekë duke u rritur me 1,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 350 mld lekë duke u rritur me 5,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018.

 

Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:

Rënia vjetore e importeve prej 7,6 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -2,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,7 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -1,0 pikë përqindje, “Makineri, paisje dhe pjesë këmbimi” me -0,6 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Ushqim, pije, duhan” me +1,1 pikë përqindje. 

 

Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere

Në muajin Dhjetor 2019 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve në krahasim me Dhjetor 2018 janë: Spanja (+115,7 %), Kosova (+3,0 %) dhe Greqia (+18,0 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-9,8 %), Kina (16,5 %) dhe SHBA (55,2 %). Gjatë këtij viti vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: Kosova (+10,0 %), Gjermania (+5,6 %) dhe Maqedonia (+0,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-4,0 %), Spanja (1,4 %) dhe Greqia (-2,5 %).

 

Në muajin Dhjetor 2019 vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve në krahasim me Dhjetor 2018 janë: Turqia (+23,3 %), Gjermania (+4,3 %) dhe Spanja (+46,7 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-10,9 %), Kina (-6,0 %) dhe Greqia (-23,2 %). Gjatë këtij viti vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë janë: Turqia (+14,0 %), Kina (+11,0 %) dhe Greqia (+4,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-6,3 %), Gjermania (-6,2 %) dhe Rusia (-8,2 %)./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat