Ja kush jane kompanite qe do te ofrojne 4G ne Shqiperi
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka shpallur zyrtarisht si oferta fituese për frekuenca të reja ato të paraqitura nga operatorët celularë, “Vodafone Albania”, “AMC” dhe “Albtelecom”.
Vlera totale e ofertave që u shpallën në fillim të këtij muaji arrin në 23.5 milionë euro. Në këmbim të kësaj shume, tre operatorët e mësipërm do të përfitojnë nga dy të drejta përdorimi në frekuenca të reja, që mund t’i përdorin për teknologjinë që dëshirojnë, përfshirë edhe 4G.
Rrjedhimisht, pasi operatorët të kenë marrë zyrtarisht autorizimet individuale, në Shqipëri do t’i hapet rrugë zyrtarisht edhe ofrimit të teknologjisë 4G. Gara ishte konceptuar në disa raunde, për të krijuar hapësira që të gjithë operatorët të fitonin frekuenca të reja. Secili operator mund të paraqiste nga një ofertë për çdo raund, por jo më shumë se katër të drejta përdorimi gjithsej. Në total, më shumë për të drejtat e reja të përdorimit pagoi “AMC”, me rreth 9 milionë euro, e ndjekur nga “Albtelecom” me 7.7 milionë euro dhe “Vodafone Albania” me 6.8 milionë euro.
Vlerat e paraqitura nga secili operator: “AMC”, me rreth 9 milionë euro “Albtelecom” me 7.7 milionë euro “Vodafone Albania” me 6.8 milionë euro