
Dialogu Shqiperi-BE, publikohen 13 konkluzionet
Prioriteti kyç i theksuar në 13 konkluzionet e përbashkëta të tryezës së pestë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri- BE ka qënë bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament.
Në dokumentin përfundimtar të takimit vlerësohen reformat e ndërmarra ndërsa theksohet nevoja për konsolidimin e mëtejshëm të tyre, sidomos reformës në sistemin gjyqësor, në administratën publike apo dhe pavarësinë e institucioneve.
Konkluzionet:
1) Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Johannes Hahn drejtuan Takimin e pestë të Dialogut të Nivelit të Lartë (DNL) mbi Përparësitë Kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian më 24 mars 2015.
2) Pjesëmarrësit e DNL vunë në dukje vlerësimin e bërë në Raport- Progres. Komisioneri Hahn theksoi se konsolidimi i vrullit të reformës dhe arritja e reformave të pandërprera dhe të qëndrueshme në fushat e përfshira në pesë përparësitë kyçe është thelbësor për progresin drejt integrimit në BE.
3) Komisioneri Hahn nënvizoi se puna konstruktive në parlament mes qeverisë dhe opozitës është thelbësore për qëndrueshmërinë e procesit të reformave drejt BE-së. Ai theksoi rëndësinë e respektimit dhe zbatimit të qetë të marrëveshjes politike të dhjetorit që i dha fund bojkotit parlamentar.
4) Komisioneri Hahn përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në reformën e sistemit gjyqësor. Komisioneri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e një procesi përfshirës reformash nën drejtimin e Komisionit të Venecias. U ra dakord që strategjia për reformën e gjyqësorit 2014-2020 të përfundohet dhe të shtohen përgatitjet për mbështetjen e mundshme të sektorit të buxhetit.
5) Pjesëmarrësit e DNL-së vunë në dukje se Grupet e Përbashkëta të Punës për pesë përparësitë kyçe mbajtën takimin e tyre të dytë më 5 shkurt 2015 në Tiranë.
6) Komisioneri Hahn përshëndeti progresin që ka bërë Shqipëria në fushën e reformës së administratës publike me fillimin e zbatimit të Ligjit mbi Shërbimin Civil dhe rikujtoi se asnjë ndryshim legjislativ nuk duhet ta minojë objektivin e ngritjes së një administrate publike të bazuar në merita dhe të depolitizuar. Shqipëria u nxit gjithashtu të vazhdojë me miratimin në kohën e duhur të Kodit të Procedurave Administrative dhe përfundimin e Strategjisë për Reformën e Administratës Publike për periudhën 2015-2020.
7) Pjesëmarrësit e DNL-së nënvizuan rëndësinë e funksionimit si duhet dhe pavarësisë së institucioneve demokratike kyç si parlamenti, gjyqësori dhe autoritetet gjyqësore,si dhe institucioneve të tjera të pavarura.
8) Komisioneri Hahn përshëndeti angazhimin e qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit. 9) Pjesëmarrësit e DNL-së përshëndetën angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër trafikut të drogës dhe shtimin e numrit të operacioneve për identifikimin dhe çrrënjosjen e kultivimit të narkotikëve. Ata nënvizuan se duhet forcuar bashkëpunimi mes institucioneve të zbatimit të ligjit për të rritur efikasitetin e hetimeve.
10) Kryeministri Rama theksoi se angazhimi ndaj zgjerimit të BE-së kontribuon për modernizimin e Shqipërisë dhe i sjell përfitime gjithë qytetarëve shqiptarë. Në këtë kontekst, Shqipëria pranon se dhënia e statusit të vendit kandidat shërben si inkurajim për përpjekje të mëtejshme të vendosura në procesin e reformave.
11) Komisioneri Hahn shtoi se Komisioni është i gatshëm të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për reforma me ekspertizë dhe ndihmë financiare. Komisioneri nënvizoi rëndësinë e shtimit të mëtejshëm të përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo do të nënkuptojë, mes të tjerash, masa të vendosura për eliminimin e pengesave të mbetura për kryerjen e hetimeve proaktive dhe efikase, përfshirë miratimin e ndryshimeve të synuara “ad-hoc” të Kodit të Procedurës Penale ndër të tjera dhe përdorimin efektiv të hetimeve financiare.
12) Kryeministri konfirmoi angazhimin e tij për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës, çka është jetike për qëndrueshmërinë e procesit të reformave.
13) Komisioni do të vazhdojë të sigurojë asistencë dhe të monitorojë progresin në zbatimin e reformave në kuadrin e Dialogut të Nivelit të Lartë dhe Grupeve të Përbashkëta të Punës për përparësitë kyçe. Shqipëria do të sigurojë raporte mbi zbatimin e Udhërrëfyesit sipas afatit kohor dhe udhëzimeve të vendosura me Komisionin.
Basha-Hahn: Shqipëria, hapa prapa në rrugën e integrimit
Shqipëria ka bërë hapa prapa për sa i përket standardeve dhe prioriteteve të integrimit. Ky shqetësim i është përcjellë komisionerit për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Sipas kreut të selisë blu, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë në një luftë pa kompromis me krimin e lidhur me qeverinë, i cili ka kapluar institucionet deri në nivelin më të lartë të Parlamentit, po agreson deri me dhunë fizike e kërcënime për jetën përfaqësuesit e opozitës shqiptare, për t’u mbyllur gojën dhe ka mbjellë një klimë terrori, duke frikësuar institucionet e drejtësisë. Në këtë kuadër, kryetari i PD-së informoi komisionerin Hahn se Partia Demokratike ka përgatitur dhe do të propozojë në komitetin “ad hoc” për dekriminalizimin, një kuadër ndryshimesh të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, bazuar në modelet më të mira të vendeve të BE-së dhe SHBA-së, me qëllim largimin e përfaqësuesve të botës së krimit nga parlamenti dhe administrata publike.
Dialogu Shqipëri-BE
Përmbushja e 5 prioriteteve, me fokus të veçantë reformën në drejtësi, ka qenë në qendër të diskutimeve të djeshme në takimin e pestë të Dialogut të Nivelit të Lartë Shqipëri-BE. Mësohet se në takimin me dyer të mbyllura, komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka theksuar nevojën për dialog dhe gjithëpërfshirje në procesin e integrimit. Ai ka vënë theksin në mënyrë të veçantë tek reforma në drejtësi por edhe te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa kryeministri Rama është ndalur në angazhimin e qeverisë për plotësimin e 5 detyrimeve.
Duke vlerësuar hapat pozitiv në këtë proces mësohet se kryeministri ka kërkuar hapjen sa më shpejt të negociatave. Ndërsa më pas, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ka informuar gjerësisht lidhur me punën e bërë për 5 prioritetet. Më tej demokratja Majlinda Bregu ka ngritur si shqetësim miratimin e ligjeve në kuadër të reformës në drejtësi, vetëm me votat e mazhorancës. Ajo ka vënë më tej theksin tek dekriminalizimi, për të cilin opozita tashmë ka gati një projekt të plotë. Këto diskutime, edhe pse me qëndrime të ndryshme, në tërësi janë cilësuar si konstruktive nga komisionari Hahn.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin, ai theksoi se ishte i lumtur që kishte parë dialog, “si nga opozita, ashtu edhe nga mazhoranca, dhe duket se të gjithë janë të angazhuar drejt procesit të integrimit”. Komisionari ka theksuar pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Rama ra dakord për nevojën e reformave cilësore, por kërkoi që pritja e Shqipërisë për çeljen e negociatave nuk duhet të zvarritet, apo asaj t'i shtohen kërkesa të tjera. “Ne jemi shumë besimplotë që procesi i reformave në drejtësi është cilësor dhe i shpejtë, ashtu sikundër jemi besimplotë se në vjeshtë ne do t'i japim Komisionit në dorë gjithçka të plotësuar, lidhur me të pestë prioritetet, nëse i referohemi detyrave të shkruara. Për këtë, unë i kërkova Komisionerit, që procesi të jetë i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm dhe të mos kemi shtesa kati rrugës, por brenda kornizës të përcaktuar bashkërisht, Shqipëria të japë rezultate një më një, sipas detyrave të përcaktuara”, - tha Rama./Shekulli
Më të lexuarat








