Secondary Adv

Krijohet Agjencia e Shpronesimit: Grup i specializuar per gjyqet me pronat

Është miratuar në Komisionin e Veprimtarisë ngritja e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve, që do të merret me shpronësimin e çdo prone për interes publik. 

 

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar në parim, Projektligjin "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private për interes publik" të ndryshuar", që ka për synim ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Shpronësimeve. Ngritja e kësaj agjencie sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës Artan Shkreli do të eliminojë problemin e mbartur të shpronësimeve. “Kjo agjenci shtetërore ndërvepron me kadastrën për lehtësimin e procedurave të shpronësimeve. Do të ulet numri i çështjeve në gjykatë, pasi do të ngrihet një grup i specializuar për këto çështje. 

 

Agjencia do të merret me uljen e borxhit dhe do ta zeroje atë. Kemi plot shpronësime të reja që kanë prioritet ndërkohë që harrojmë të vjetrat. Miratojeni pasi jemi përpara një situate thuajse emergjente për shpronësimet duke qenë se janë edhe zonat e prekura nga tërmeti”, u shpreh zëvendësministri i Infrastrukturës Artan Shkreli. Shkreli tha në komision se vonesat me shpronësimet përveç se kanë penguar shumë projekte, në të shumtën e rasteve kanë përfunduar në Gjykatë, ku shteti ka humbur në 90% të rasteve. Agjencia e Shpronësimeve do të ketë buxhet të saj dhe do të jetë në varësinë e Infrastrukturës./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat