Secondary Adv

Pas Durres-Kukes, ja rruget e tjera qe do behen me pagese


Durrës-Kukës do të jetë rruga e parë që do të kalojë me koncesion dhe aktualisht kjo autostradë është në fazë tenderimi.
Qeveria ka vendosur që operimin, mirëmbajtjen dhe disa investime të papërfunduara nga projekti fillestar t’ia lërë në dorë sektorit privat përmes formës së partneritetit publik-privat. Kjo do të bëhet në këmbim të një tarife që do të paguhet nga gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë.
Ende nuk është folur për tarifa të sakta, por paraprakisht është lakuar se mjetet e vogla do të paguajnë jo më pak se 5 euro. Por, Rruga e Kombit nuk do të jetë e vetmja ku do të paguhet për të kaluar. Aktualisht katër janë rrugët apo projektet që kanë një trafik të garantuar dhe mundësi për të kaluar me koncesion.


Rrugët që do të bëhen me pagesë

E para është Rruga e Kombit, me të cilën po procedohet.

E dyta është rruga Tiranë-Elbasan për të cilin projekti ka parashikuar edhe toll stacion (stacion pagese) dhe që sërish ka trafik të garantuar.

Dy projekte të tjera që janë këshilluar të jepen me pagesë në përfundim të tyre janë bypass-i i Vlorës dhe ai i Fierit.


Vetë BERZH që financon këto dy projekte, në vitin 2011 publikoi një raport të cilin ia dorëzoi qeverisë ku hidhte variantin e rrugëve me pagesë për të shtuar buxhetin nga gropa e shpenzimeve të mëdha të mirëmbajtjes së gjithë rrjetit. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës ishte dje në Komisionin e Ekonomisë për të mbrojtur edhe një marrëveshje granti që synon financimin e një strategjie për taksimin rrugor.


Rruga e Arbërit
Koncesioni i Rrugës së Arbrit u cilësua nga ministri Haxhinasto si përjashtim nga rregulli për faktin se kompania kineze e lakuar së fundmi ka sjellë me vete financimin dhe ka shprehur gatishmërinë për ndërtimin e segmentit 27 kilometra. Ai theksoi se në kushtet kur ishte bërë një pjesë e mirë e investimit, ishte e nevojshme që të ruhej ritmi për të mos degraduar pjesën e përfunduar. Por duket se kompania kineze ka kërkuar garanci dhe qeveria ka pranuar garancinë e trafikut.


“Është garantuar një formë e re garancie, jo sovrane, për arsye që ne e dimë se s’mund të marrim borxhe pafundësisht. Por do të marrim atë që quhet garancia e trafikut. Kjo garanci do të jepet si pagesë në rastin kur niveli i qarkullimit të automjeteve do të jetë nën një nivel të caktuar, ose më mirë deri në atë nivel që garantohet pika e kthimit të investimit. Nën atë nivel shteti angazhohet t’i kthejë investimin kompanisë”, sqaroi Haxhinasto.
Kjo do të thotë se në rast se në rrugë do të kalojnë më pak makina sesa parashikon firma, atëherë do të jetë qeveria që do të paguajë diferencën. Pra, në rast se firma kineze, për të garantuar fitimin, parashikon që në rrugë të kalojnë 1 mijë makina me pagesë në ditë dhe gjatë një dite kalojnë 800 makina, atëherë diferencën e munguar e paguan qeveria nga buxheti. Nga taksat që paguajnë qytetarët. Me pak fjalë, çfarëdo që të ndodhë, firma kineze e ka të garantuar fitimin, ajo thjesht mund ta rrisë atë, në rast se tejkalohet parashikimi i makinave që do paguajnë tarifën.


Më të lexuarat