Secondary Adv

KLSH auditon ARRSH: Konstatohen shkelje, Kardhiq-Delvine perfundon ne prokurori

Kontrolli i Lartë i Shtetit njofton se ka përfunduar auditimin e Përputhshmërisë në ARRSH, për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2017 deri në datën 31.07.2019.

 

Nga ky auditim, sipas KLSH-së, u konstatuan një sërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. “Në këtë  auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka depozituar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë për: S.Q, ish- Drejtore e ARRSH dhe Anëtarët e KVO: E.G, S.P dhe E. S. Çështja që kemi kërkuar një hetim të thelluar nga ana e organit të Prokurorisë ka të bëjë me ligjshmërinë e zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvinë, Loti 7, me fondin limit 2,332,573,946  lekë, të zhvilluar në korrik 2019” njofton KLSH.

 

Njoftimi i plotë i KLSH-së:  

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 363/1 datë 29.05.2019, ndryshuar, ka përfunduar auditimin e Përputhshmërisë në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) Tiranë, për periudhën e veprimtarisë nga data 01.01.2017 deri në datën 31.07.2019. Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi. Më konkretisht shkeljet e konstatuara evidentohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit, miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 135, datë 24.10.2019. Ndër çështjet më të rëndësishme që trajtohen në Raportin Përfundimtar të Auditimit janë: -Në këtë auditim, u konstatuan shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat KLSH ka depozituar indicie për kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Tiranë për: 

 

S.Q, ish- Drejtore e ARRSH dhe Anëtarët e KVO: E.G, S.P dhe E. S. Çështja që kemi kërkuar një hetim të thelluar nga ana e organit të Prokurorisë ka të bëjë me ligjshmërinë e zbatimit të procedurës së prokurimit me objekt: “Ndërtim rruga Kardhiq – Delvine, Loti 7, me fondin limit 2,332,573,946 lekë, të zhvilluar në korrik 2019. Konkretisht, në këtë procedurë prokurimi, nga 6 operatorët pjesëmarrës, është  kualifikuar vetëm BOE “I.&.S.&.V.&.A&E”, me ofertën ekonomike në vlerën 2,299,327,253.75 lekë dhe janë skualifikuar 5 operatorët e tjerë. Të 5 këta operatorë kanë  paraqitur ofertat ekonomike më të ulët se operatori i kualifikuar. Katër nga këta operatorë janë skualifikuar në përputhje me rregullat e prokurimit publik sepse nuk plotësonin kriteret e veçanta të kërkuara në DT e veçanërisht nuk kishin përvojë të ngjashme në punimet e tuneleve tokësore. 

 

Ndërsa BOE “Gj.&.C&.G&.G” është skualifikuar nga KVO, në kundërshtim me ligji nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, si më poshtë: KLSH, me përfundimin e fazës së vlerësimit nga KVO të dokumentacionit të operatorëve pjesëmarrës, menjëherë mbas njohjes së këtij vlerësimi nëpërmjet sistemit elektronik, i kërkojë Autoritetit Kontraktor, vënien në dispozicion të dokumentacionit e këtij prokurimi të cilat nuk gjenerohen nga sistemi elektronik. Por AK nuk ju përgjigj kësaj kërkese dhe grupi i auditimit me shkresë të protokolluar në ARRSH me datë 18.07.2019 i është drejtuar, Drejtorisë Juridike, Sektorit te Prokurimeve dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ARRSH dhe i ka kërkuar që të vihen në dispozicion të auditimit i gjithë dokumentacioni që nuk gjenerohet nga sistemi elektronik dhe veçanërisht ankesat e operatorëve ekonomik. 

 

Përsëri strukturat drejtuese të ARRSH nuk i vunë në dispozicion këto dokumente dhe as nuk kthyen përgjigje shkresës sonë, veprim ky që bie në kundërshtim me nenin 15 të ligjit nr. 154/2014, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Në kushtet e mosvënies në dispozicion të këtij dokumentacioni, auditimi u përqendrua vetëm në dokumentacionin e gjeneruar nga sistemi elektronik i prokurimeve dhe u konstatua se, dokumentacioni i paraqitur nga ky operator plotëson të gjitha kërkesat ligjore dhe kërkesat e veçanta të vendosura në DT. Për pasojë, KVO duhej ta kualifikonte këtë bashkim operatorësh për fazën tjetër të shqyrtimit të ofertës ekonomike. 

 

Dhe meqenëse, ky bashkim operatorësh kishte paraqitur ofertën ekonomike në vlerën 1,789,598,000 lekë e cila është më e ulët se oferta e operatori tjetër i kualifikuar “I.&.S.&.V.&.A&E”, duhej të klasifikonte i pari në renditje dhe duhej ta shpallte fitues, pasi oferta ekonomike e tij ishte në vlerë më të ulët me diferencë prej 611,675,104 lekë. Kështu do të eliminohej dëmi ekonomik në vlerën 611,675,104 lekë me TVSH nga skualifikimi i pa drejtë i këtij bashkimi operatorësh ekonomik. Për këtë skualifikim, ky bashkim operatorësh ka paraqitur fillimisht ankesë pranë ARRSH, e cila nuk e ka pranuar këtë ankesë dhe më pas ka paraqitur ankesë, pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP). KPP, me Vendimin nr. 150, datë 09.07.2019 ka Vendosur: të pranojë ankesën e paraqitur nga ky bashkimi i operatorëve ekonomikë; AK të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e BOE; të korrigjojë shkeljet e konstatuara, duke e kualifikuar BOE “Gj.&.C&.G&.G”. 

 

Në arsyetimin e Vendimit nr. 150, datë 09.07.2019, KPP ka bërë në thelb, të njëjtën arsyetim dhe interpretim ligjor si arsyetimet dhe interpretimet e bëra nga auditimi i KLSH si dhe ka dalë me të njëjtin konkluzion dhe vendimmarrje se, BO “Gj.&.C&.G&.G” duhej të kualifikohej për në fazën e shqyrtimit ekonomik. Mirëpo, deri në datën 31.08.2019, që përkon me përfundimin e auditimit në terren, AK në zbatim të vendimit të KPP, nuk ka bërë rikualifikimin e operatoreve e operatorëve. Duke i konsideruar çështjet/veprimet e përmendura më sipër, si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas Ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” me ndryshimet përkatëse, bazuar në nenin 281 të Kodit të Procedurës Penale si dhe nenit 15 germa “gj” të ligjit nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH i ka përcjellë me shkresën nr.363/16, prot. datë 28.10.2019, indicie për kallëzim penal, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë./Burimi: Scan


Më të lexuarat