Secondary Adv

Parlamenti grek miraton marreveshjen: Patentat shqiptare do njihen edhe ne Greqi

1 vit e gjysëm nga nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e patentave shqiptare në Greqi, parlamenti grek ka miratuar dokumentin, duke i hapur rrugë zbatimit të saj.   

 

Referuar dokumentit të firmosur në vitin 2018, shtetasit shqiptarë, që janë të pajisur me një patentë, mund të drejtojnë mjete në territorin grek, brenda periudhës së vlefshmërisë së lejedrejtimit, për sa kohë nuk kanë vendosur rezidencën normale në shtetin grek. Ndërkohë që, në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin rezidencën normale në Greqi, ata mund të konvertojnë patentën shqiptare, në greke, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale në Shtetin Grek.

 

Kjo procedurë bëhet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike, si dhe të sigurojë një përkthim zyrtar të lejedrejtimit shqiptare, në greqisht, pa qënë e nevojshme kryerja e testeve teorike dhe praktike. Ndërkaq, 1 ditë më parë kryeministri Edi Rama njoftoi se do të nisin procedurat konkrete, që patenta shqiptare të njihet edhe në shtetin gjerman. Sipas tij, në muajin shkurt do të vijë një mision nga Ministria e Transporteve të Gjermanisë, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave./Burimi: SCAN


Më të lexuarat