Secondary Adv

Tokat e zena nga ndertimet pa leje, kompensohen 544 pronare

 

Kompensohen 544 pronarë, tokat e të cilëve janë zënë nga ndërtimet pa leje. Shuma e kompensimit arrin në 253 milionë lekë dhe përfituesit janë në qarqet Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Kukës.


Qeveria vendosi shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Kukësit. Burime zyrtare nga Agjencia e Legalizimit Urbanizimit Integrimit të Ndërtimeve Informale bëjnë të ditur se është zbardhur lista e përfituesve të miratuar nga Këshilli i Ministrave për shpërblimin e pronarëve mbi sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale për të disa qarqe.


Vendimi
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave mësohet se është vendosur shpërblimi i pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale në qarqet e Tiranës, Elbasanit, Vlorës, Shkodrës dhe Kukësit. Vlera e përgjithshme e kompensimit, për sipërfaqen prej 25 242.55 m², që shpronësohet, të jetë 253 184 771.36 lekë. Në vendimin e qeverisë është përcaktuar sipërfaqja e tokës, për të cilën pronarët do të kompensohen dhe vlera në para që përfiton secili pronar.


Në vendimin e qeverisë mësohet se përfituesit për Tiranën janë 352 pronarë, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Ndërsa në qytetin e Elbasanit janë 92 persona që marrin kompensimin. Në listën e përfituesve janë edhe pronarët në qytetin eVlorës ku përfitojnë 37 persona. Sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave në qytetin e Shkodrës janë 60 pronarë. Qeveria në vendimin e saj urdhëron zyrat përkatëse të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryejë ndryshimet, për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.


Sipas vendimit të qeverisë ngarkohet Ministria e Zhvillimit Urban, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale për zbatimin e këtij vendimi. Paratë do të kalojnë në llogaritë e përfituesve pas botimit të vendimit në “fletoren zyrtare”.


Përfituesit
Për të përfituar kompensimin për pronën e zënë nga ndërtimet pa leje duhet të plotësohen një sërë dokumentesh. Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së kërkesën tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave. Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil.


Sipas ligjit për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme. Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandatpagesën.
Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.


Legalizimet në Durrës
Ndërkaq, ALUIZNI shpalli dje emrat e personave nga zona e ish- Kënetës, Durrës, që kanë gati dokumentet për legalizimin. Në faqen zyrtare janë publikuar emrat e 589 qytetarëve të cilëve u tërhiqet vëmendja për të marrë faturat e parcelës ndërtimore dhe për të lidhur kontratat e fitimit të pronësisë së truallit.
Sipas njoftimit të ALUIZNI-it, të gjithë qytetarët mund të përfitojnë lehtësirat financiare që janë vendosur në zbatim të ligjit, në varësi të kategorive. Në bazë të këtij ligji, qytetarët përfitojnë një zbritje në masën 20% të vlerës së parcelës ndërtimore në rast pagese të menjëhershme brenda 45 ditëve. Në rast mosrespektimi të këtij afati, ju nuk do të keni më mundësinë të përfitoni zbritjen -20%, por vlera e parcelës ndërtimore do të paguhet e plotë.


Po kështu, poseduesit e objekteve informale mund të përfitojnë edhe një zbritje – 10% të vlerës së parcelës ndërtimore si garanci për pagesën në mënyrë të rregullt të energjisë elektrike. Menjëherë pas likuidimit të faturës së parcelës ndërtimore nga ana e qytetarit, Drejtoria e ALUIZNI-t, Durrës, bën pajisjen me leje legalizimi brenda ditës. Burimet zyrtare njoftojnë se, në javët e ardhshme Drejtoria e ALUIZNI-t, Durrës, do të nxjerrë listat e qytetarëve që duhet të paraqiten për të tërhequr faturën e parcelës ndërtimore në zonën e Spitallës (Lagjja Nr.15 Durrës) dhe atë të Shkozetit (Lagjja Nr.14 Durrës).


Më të lexuarat