Perkujtohet 100 vjetori i shpalljes Kryeqytet: Bashkia po pergatit nje ligj per Tiranen
Nga Lushnja ku 100 vjet më parë mbajti punimet Kongresi i Lushnjes, u përkujtua sot shpallja e Tiranës Kryeqytet, çka shënoi çeljen e aktiviteteve festive përgjatë gjithë vitit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv. Kryeministri Erjon Braçe, kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe, deputetë të zonës dhe drejtues vendorë, nderuan dhe vlerësuan familjet që, në ato vite jo të lehta për vendin, dhanë kontributin e tyre që Tirana të jetë sot qyteti që përfaqëson shqiptarët. Kryebashkiaku Veliaj tha se vendimet e rëndësishme që u morën në Kongresin e Lushnjes përcaktuan fatet e vendit. “Ishin ditë, orë, pse jo edhe minuta, që vunë në provë ata baballarë të kombit tonë, që morën një vendim jo në një sallë moderne me poltrona, por në kushte jashtëzakonisht të vështira betejash, në dallim nga vendimet që do të duhet të marrim sot, ku shpesh herë pengesat ia bëjmë vetë njëri-tjetrit.
Ishte shpirti i atyre burrave dhe dashuria për Shqipërinë për t’i dhënë zgjidhje një problemi kardinal për vendin. Në fakt, Tirana kryeqytet ishte një ide e vjetër që nga Rilindja. Në këtë karvan, që përbëhej nga rreth 100 burra me qeverinë, Këshillin e Lartë dhe Këshillin Kombëtar, bashkë me ata që e shoqëronin, një forcë madhore i çoi në Tiranë atë ditë shkurti, që morën udhë pikërisht nga Lushnja e madhe e atyre ditëve. Sot, pas një shekulli, ne si Tiranë i jemi pa fund mirënjohës Lushnjes dhe Kongresit të saj, të cilët na dhanë kryeqytetin që sot mbush 100 vjeç”, deklaroi Veliaj, njofton zyra e shtypit të bashkisë. Veliaj theksoi se Tirana në këtë 100-vjetor është gati të ketë një ligj të sajin, si çdo kryeqytet i rëndësishëm.
“Jemi duke përgatitur një ligj për Tiranën, si çdo kryeqytet i rëndësishëm që ka një ligj të tillë. Ndaj, mezi pres që deputetët e asaj zone, që e bënë Tiranën kryeqytet, do të jenë edhe përkrahësit e Tiranës me një ligj për kryeqytetin. Një ligj që bëhet për herë të parë në histori e që për koinçidencë merr udhë pas 100 vjetësh nga shpallja kryeqytet. Ky do jetë një ligj që do ta bëjë Tiranën më të mirë, më europiane, më moderne, ashtu si Londra e Parisi, që e kanë një ligj të ngjashëm. Mezi pres gjithashtu që ta kthejmë këtë vit në një moment historik, për të treguar se nuk kemi ardhur nga hiçi, për të treguar ku i kemi rrënjët dhe për të kuptuar sesa të lidhura i kemi fatet me njëri-tjetrin”, deklaroi Veliaj./Burimi: Shqiptarja.com