Secondary Adv

Raporti i KLSH: Hekurudha drejt falimentimit, duhet nderhyrje emergjente

KLSH paralajmëron se Hekurudha është drejt falimentimit ndërsa transportuesit privatë mund të cënojnë jetën e udhëtarëve, teksa në raport ka gjetur shumë shkelje. 

 

KLSH deklaron se janë gjetur shkelje organizative, shkelje me pasoja financiare, si dhe shkelje në mospërputhje me parimet e efiçiencës, ekonomicitetit dhe efektivitetit. Por kush janë shkeljet konkretisht? Sipas KLSH-së performanca e treguesve ekonomiko-financiare për periudhën objekt auditimi 2018-2019, si dhe detyrimet e prapambetura ndaj të tretëve, kredi afatshkurtër e afatgjatë, për principial dhe interesa, fatura për blerje etj., pasqyrojnë qartazi jo vetëm një̈ krizë të mprehtë likuiditeti të Shoqërisë Hekurudha Shqiptare, por vazhdimësia në këto tregues performance për një periudhë të gjatë po e çon shoqërinë drejt falimentimit, një një tjetër problem janë edhe përdorimi i subvencioneve.

 

Një problem i madh i konstatuar në funksionimin e kësaj shoqërie, sipas raportit është transporti hekurudhor privat."Për periudhën objekt auditimi në rrjetin hekurudhor, kanë ushtruar aktivitetin e tyre tre transportuesit hekurudhor, dy janë subjekte private dhe një është vetë shoqëria Hekurudha Shqiptare sh.a, si dhe është në proces për të ushtruar aktivitetin në këtë sektor edhe një operator tjetë privat. Moszbatimi i akteve ligjore dhe nënligjore nga transportuesit hekurudhor privat që operojnë në rrjetin hekurudhor pronë e Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sh.a, sjell një risk të lartë dhe mund të cënojë sigurinë e lëvizjes së trenave, të jetës së udhëtarëve dhe të mallrave, të ruajtjes së pronës, mbrojtjes së mjedisit dhe shfaq një rrezik potent në ecurinë e veprimtarisë së vetë shoqërisë" thotë KLSH-ja. 

 

Raporti evidenton problemet me dy subjektet private që operojnë, të cilët nuk kanë certikatë sigurie dhe autorizim. "Leja për veprimtarie të përkohshme e njërit prej transportueve hekurudhor privat, nr.1 datë 18.07.2016 dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk ka të përcaktuar afatin e vlefshmërisë, si dhe nuk ka të përcaktuar segmentin hekurudhor ku do të ushtrohet veprimtaria për transportin e mallra. Ky transportues hekurudhor nuk është pajisur me certikatë sigurie dhe autorizim sigurie nga Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor, veprim në kundërshtim me Ligjin nr.142/2016 datë 22.12.2016 “Kodi Hekurudhor i Republikës të Shqipërisë”, dhe rregulloren e MIE nr.2638, datë 10.06.2011 “Mbi pajisjen me leje veprimtarie të transportuesve hekurudhore” botuar në fletoren zyrtare nr.96 datë 20.07.2011.

 

Ndërsa transportuesi tjetër privat i pajisur me licencë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nr.LN-6424-12-2018 datë 26.12.2018, rezulton se ka nje leje pa afat në segmentin hekurudhor Bajz- Durrës dhe Durrës-Elbasan me objekt transport mallrash. Kjo leje është dhënë në kundërshtim me Ligjin nr.142/2016 datë 22.12.2016 dhe rregulloren nr.2638, datë 10.06.2011 “Mbi pajisjen me leje veprimtarie të transportuesve hekurudhore” të MIE, pasi nuk disponon mjetet tërheqëse (lokomotivat). Shoqërisë “Hekurudhës Shqiptare” sh.a nuk ka lidhur/nëneshkruar me  këtë operatori, pra mungon një kontratë e lidhur mes dy palëve për transportin në hekurudhë të mallrave në segmentin hekurudhor Bajz- Durrës dhe Durrës-Elbasan referuar licencës së dhënë. 

 

Gjithashtu ky operator nuk është pajisur me çeritikatë sigurie dhe autorizim sigurie nga Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor, veprim në kundërshtim me Ligjin nr.142/2016 datë 22.12.2016 dhe  rregulloren përketese". Faturat e prapambetura janë një tjetër problem."Shoqëria “Hekurudha Shqiptare” sh.a, Durrës nuk ka kryer likuidimi në kohë të detyrimeve për kohë qëndrimin e vagonëve të huaj. Konkretisht për periudhën 01.01.2018 deri me 31.05.2019, detyrimi i Shoqërisë “Hekurudha Shqiptare” sh.a, Durrës ndaj hekurudhave të huaja është në vlerën 3,560,884 euro ose 439,498 mijë lekë dhe nga moskryerja e pagesave në kohë vlera e penalitetit të akumuluar është në shumën 476,545 euro".

 

Në përfundim, KLSH-ja akuzon se hekurudhës nuk i është dhënë vëmendja e duhur në lidhje me  investime shtetërore, "për më tepër që është e vetmja shoqëri në Republikën e Shqipërisë me objekt transportin kombëtar dhe ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtareve, ashtu si i është dhënë  infrastrukturës rrugore". Por cila është zgjidhja? "Në këto kushte, vlerësojmë se lind nevoja e ndërhyrjes emergjente me një strategji të mirëfilltë dhe një plan konkret masash, me fokus të veçantë stimulimin e transportit të mallrave dhe përmirësimin të lidhjeve të strukturave hekurudhore me ato portuale"mbyllet raporti./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat