Secondary Adv

Nga sot nis rivleresimi i banesave: Publikohen tarifat dhe afatet e aplikimit

Të gjithë ata që prisnin që të rivlerësonin shtëpitë e tyre, më në fund mund ta bëjnë duke filluar nga dita e sotme.  

 

Ndonëse ligji që lejonte rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka hyrë në fuqi që në 1 janar, zbatimi i tij nuk kishte nisur ende, për shkak të mungesës së udhëzimit, i cili është publikuar sot në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi menjëherë. Udhëzimi parashikon se të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi, pasuri të paluajtshme (tokë dhe/ose ndërtesë) të regjistruar ose që fitojnë pronësinë dhe e regjistrojnë atë deri në datën 30 shtator 2020, kanë të drejtë që brenda këtij afati të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Këtu përfshihen dhe rastet, kur për pasurinë e paluajtshme është bërë edhe më parë rivlerësimi. 

 

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ASHK-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse. Për të përfituar nga rivlerësimi, nëpërmjet pasqyrimit të tij në regjistrin e pasurive të paluajtshme, individi duhet të paguajë më parë tatimin e rivlerësimit (3% e bazës së tatueshme) dhe tarifën e shërbimit, sipas ligjit nr. 90/2019. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën prej këtyre pasurive. 

 

LLOGARITJA E BAZËS SË TATUESHME PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË PËR INDIVIDËT

Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme. Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.

 

Vlera e zbritshme, si në rastin e pikës 4 dhe në atë të pikës 5, është vlera e pasurisë sipas së aktit të regjistruar (të fitimit të pronësisë) ose ajo sipas rivlerësimit të mëparshëm (për të cilin është paguar më parë tatimi). Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e zbritshme, drejtoria vendore e ASHK-së bazohet në vlerën e çmimeve minimale fiskale në çastin e regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë. Për zbatimin e këtij udhëzimi, brenda 5 ditëve nga hyrja e tij në fuqi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i kërkon Ministrisë përgjegjëse për infrastrukturën dhe Entit Kombëtar të Banesave listën e çmimeve të kostos mesatare të ndërtimit të banesave, në format digjital (Excel)./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat