Projekti per rrugen e re ne Tirane: Miratohet fondi 51.3 mln leke per shpronesimet
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpronësimin, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga projekti "Ndërtimi i rrugës Isuf Balta, Tiranë".
Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “truall”, do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës me vlerë të përgjithshme prej 51 milionë e 306 mijë e 408 lekë. Ky fond shpronësimi do të përballohet nga fondet e Bashkisë Tiranë. Pronarët do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues pranë Bashkisë Tiranë.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit, mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të shtetit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Veri do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin që të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, si dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit për pasuritë e shpronësuara./Burimi: SCAN