Secondary Adv

Rivleresimi i pronave: Agjencia Shteterore e Kadastres njofton afatet e aplikimit

Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën me dije se nga e premtja e kësaj jave qytetarët e interesuar për të rivlerësuar pronën mund të dorëzojnë aplikimet pranë sporteleve. 

 

Hyrja në fuqi e ligjit më herët dhe akteve nënligjore më pas, duket se kanë hapur tashmë dritën e gjelbër për procedurën për të cilën ASHK nënvizon se është shtuar si opsion edhe aplikimi online. “Pas miratimit të Ligjit për rivlerësimin e pasurive, Kadastra Shqiptare në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, hartoi dhe miratoi aktet nënligjore që e bëjnë të mundur zbatimin e tij. Tani, pas miratimit të tyre, Kadastra shqiptare fton qytetarët e interesuar se, duke filluar nga dita e nesërme, mund të paraqiten pranë sporteleve të ADISA-s (atje ku ka të tilla) ose pranë sporteleve tona, për të aplikuar për procesin e rivlerësimit të pasurive të tyre. Siç jeni në dijeni, nga ditët e para të janarit, ka filluar edhe aplikimi i reformës më të fundit të qeverisë Shqiptare, reforma e shërbimeve “ON LINE” përmes platformës “e-Albania”.

 

Kjo bën të mundur që, aplikimi për rivlerësimin, të kryhet edhe “on line” direkt nga çdo i interesuar. Gjej rastin që të ftoj qytetarët që masivisht ti drejtohen kësaj mënyre shërbimi, duke aplikuar vetë direkt nga kompiuterat apo telefonet celularë personalë. Eshtë e natyrshme ngarkesa e ditëve të para të aplikimit të kësaj reforme, që kërkon përshtatjen edhe të sistemeve të punës së vetë institucioneve, por në mënyrë të veçantë kërkon ambientimin e qytetarëve me këtë mënyrë aplikimi. E gjithë procedura e përpunimit të të dhënave nga ana e punonjësve tanë, zgjat 5 ditë pune.

 

Rivlerësimi i pronave kësaj rradhe do të ketë këto dy risi:

Do të realizohet nëpërmjet aplikimeve online, duke shkurtuar burokracitë për qytetaret.

Do të aplikohet edhe për pasuritë e legalizuara që janë në proces regjistrimi në Kadastër.

Kjo risi e dytë, është rezultat direkt i reformës institucionale të shkrirjes në një të vetme të institucioneve të pronësisë, ish-Aluiznit dhe ish-ZRPP-së.

Me qëllim që të shmangim ngarkesën e madhe të këtyre ditëve, nga ana jonë është ndërtuar një kalendar për shpërndarjen e këtij procesi përgjatë muajve në vijim.

 

Kështu, përgjatë muajve shkurt dhe mars do të kryhet procesi i rivlerësimit për ata qytetarë që ju shërben në kuadër të ndjekjes së procedurave të tjera emergjente, si vendosja e pronës në bankë si kolateral apo me qëllim shitjen e pronës së tyre. Në vijim deri në muajin shtator, kur mbyllet ky proces, do të vijojmë shërbimin për pjesën tjetër të qytetarëve të interesuar. Nëpërmjet procesit të rivlerësimit, synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive dhe përafrimi i tyre me vlerën e tregut. I shprehur në shifra, ky përfitim për qytetarët realizohet duke e çuar vlerën e tatim fitimit në rast transaksioni, nga 15% në 3%, që e parashikon ligji i rivlerësimit. Ftojmë të gjithë qytetarët shqiptarë që të përfitojnë nga procesi i rivlerësimit, duke i bërë pronat e tyre pjesë të tij” nënvizon ASHK.

 

Rivlerësimi i pronave në vitin 2020

Kjo nuk është hera e parë që nga qeveritë në vend aplikohet rivlerësimi i pronës. Të tilla nisma ka pasur disa herë nga viti 2011 e deri në vitin 2016 kur është aplikuar për herë të fundit.“Qeveria Shqiptare ndodhur përpara kërkesave të shumta të qytetareve ndër vite për të përfituar nga procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe rritjes se të ardhurave në buxhetin e shtetit, miratoi Ligjin nr.90/2019 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Nëpërmjet këtij ligji përfitojnë individët dhe personat juridik për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, si ato të regjistruara dhe ato në proces regjistrimi. Nëpërmjet këtij ligji për individët ofrohet mundësia që rivlerësimi i pronave të paluajtshme të behet nga:

 

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ose,

Eksperti i licensuar per vlerësimin e pasurise se paluajtshme

Tatimi i parashikuar është:

Për Individët

3% e diferencës midis vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet e referencës, me çmimet minimale fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar (kur rivlerësimi bëhet nga ASHK) dhe; 3% e diferencës ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt ekspertimi dhe vlerës së pasurisë se aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar (kur rivlerësimi bëhet nga një ekspert privat i licencuar).

 

Për Personat juridik

5% e diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme.

Aktet nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji:

-Vendim i Këshillit të Ministrave për rivlerësimin e pasurive te paluajtshme në proces regjistrimi.

-Udhëzim i Përbashkët i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorit të Përgjithshëm të ASHK-së.

 

Nisur nga eksperienca në vite e aplikimit të këtij procesi nëpërmjet tij synohet që qytetaret të përfitojnë nga rivlerësimi i pasurive me vlerën e tregut dhe të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten si rezultat i aplikimit të këtij procesi. Në momentin e transaksionit për tjetërsim pasurie, që kryhet pas rivlerësimit kosto për qytetaret në momentin e pagimit të tatimit për kalimin e të drejtës së pronësisë (15%) zvogëlohet si pasojë e rivlerësimit. Gjithashtu, nëpërmjet aplikimit te këtij procesi rriten transaksionet për pasuritë e paluajtshme ne qarkullimin civil, që ndikon drejtpërsëdrejti ne nxitjen e tregut të pasurive të paluajtshme” thuhet në njoftimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat