160 mije euro per portalin e rindertimit: Do procedoje kerkesat per strehim
Buxheti i shtetit do të paguajë afro 160 mijë euro për të ndërtuar portalin unik qeveritar që do të shërbejë për procesin e rindërtimit.
Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin në fjalë, ku cakton Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si njësi zbatuese për ngritjen e këtij uebsite. Sipas vendimit në fjalë, efekti financiar total prej rreth 19,4 milionë lekësh do të përballohet nga zëri “Fondi për rindërtim”, miratuar në buxhetin e vitit 2020 dhe të përdoret nga AKSHI, përkatësisht: a) në masën rreth 18.4 milionë lekë lekë në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”; dhe b) në masën 1 milionë lekë, në zërin “Shpenzime operative dhe mirëmbajtje”.
Në vendim thuhet gjithashtu se fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave, në zbatim të këtij vendimi, kthehen në buxhetin e shtetit në zërin “Fondi për rindërtim”. Përmes këtij portali pritet të ndiqen të gjitha procedurat për aplikimin, shqyrtimin e kërkesave dhe miratimin e dosjeve për qytetarët që do të jenë përfitues të një banese të re. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zbatimin e këtij vendimi./Burimi: SCAN