
100 vjetori i shpalljes Kryeqytet- Veliaj: Ndertojme Biblioteke dhe Teater te ri Kukullash
Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes Kryeqytet, Bashkia e Tiranës nderoi me medalje mirënjohje disa nga familjet më të nderuara tiranase, që kanë kontribuar ndër vite për qytetin.
Në ceremoninë e dedikuar kësaj ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar, merrnin pjesë deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë bashkish nga vendi dhe trevat shqiptare, personalitete të klerit dhe të kulturës shqiptare si dhe pasardhës të familjeve të vjetra të zonës. Kreu i Bashkisë u shpreh se në këtë 100-vjetor, Tirana vjen si një kryeqytet me aspiratën për t’u bërë një qytet modern dhe evropian. “Unë ndihem i përkëdhelur, i privilegjuar nga fati që më takoi mua, më rastisi mua të jem kryetari i Bashkisë kur mbushen fiks 100-vite nga momenti kur qeveria e Sulejman Delvinës, hyri në Tiranën që u bë kryeqytet në atë kohë.
Jam i lumtur që jemi sot të gjithë bashkë në këtë ditëlindje të parë të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se Tirana sot është jo vetëm epiqendra politike, kulturore, sociale, por edhe fuqia ekonomike. “Sot mund të themi me plot gojën se Tirana kryeqytet ishte stolia më e bukur dhe vendimi më i drejtë dhe largpamës që buroi nga Kongresi i Lushnjës. Jam i lumtur që të gjithë jemi sot këtu bashkë në këtë ditëlindje të parë të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky është edhe një moment për të parë atë që është bërë në këtë një shekull dhe për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen. Teksa nënvizoi nevojën për më shumë bashkëpunim, Veliaj theksoi se është koha për të marrë vendime të drejta për ta çuar Tiranën përpara. Kreu i Bashkisë deklaroi se në respekt të historisë, godina ku u mblodh Këshilli Kombëtar që ishte njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar që sot shërben si Teatri i Kukullave do të kthehet në një shtëpi muze.
“Në 27 Mars 1920, pra pak më shumë se një muaj nga shpallja kryeqytet, u mblodh Këshilli Kombëtar, që është njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar në godinën ngjitur që sot shërben si Teatri i Kukullave dhe shumë shpejt do ta rikthejmë në një shtëpi muzë të Parlamentin shqiptar, për ta transferuar bashkë me kryeministrin Teatrin e Kukullave në një ndërtesë tjetër moderne dhe për t’u siguruar që në shekullin e dytë kthejmë kokën pas për të kujtuar atë pikë reference të Parlamentit shqiptar”, tha Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se që në ditët e para një nga vendimet e para ka qenë dhe themelimi i Bibliotekës Kombëtare.
Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për themelet e godinës së re të Bibliotekës Kombëtare që do i shërbej studiuesve por edhe të pasionuarve pas librit e dijes. Unë besoj që nuk ka gjë që jehon më shumë nga shtetformimi i ditëve të para, se akti i parë i Parlamentit, si themelim të Bibliotekës Kombëtare si një nga institucionet kryesore. Dhe lajmi i mirë për të gjithë ata që ende e kanë librin një udhërrëfyes dhe një standard jetesë në jetën e tyre, është që qeveria shqiptare dhe kryeministri sapo ka konfirmuar ngritjen e Bibliotekës së re Kombëtare dhe si një shenjë mirënjohjeje për të filluar shekullin e dytë ashtu siç e filluan të parët tanë shekullin e parë me librin dhe Bibliotekën Kombëtare”, deklaroi Veliaj./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








