Urdher i Ministrise se Brendshme: Bllokohet qarkullimi i te gjitha mjeteve te blinduara
Ministri i Brendshëm ka urdhëruar bllokimin e qarkullimit të të gjitha mjeteve të blinduara, edhe të atyre që i zotërojnë me dokumentacion të rregullt prej kohësh.
OFL nga një anë dhe ministria e Brendshme nga ana tjetër, të dyja i kanë shpallur 'luftë' mjeteve luksoze dhe të blinduara. OFL me bllokimin e mjeteve të blinduara që dyshohet se janë blerë nga para që e kanë burimin nga krimi. Ndërsa ministri i Brendshëm ka urdhëruar bllokimin e qarkullimit të të gjitha mjeteve të blinduara që zotërohen nga persona fizik, edhe të atyre personave që i zotërojnë me dokumentacion të rregullt prej kohësh. Me urdhër të Lleshaj, për vitin 2020, nuk do të lejohet targimi i tyre si dhe nuk do të rinovohet dokumentacioni i mjeteve që aktualisht janë në qarkullim.
Urdhri i Ministrit Lleshaj është shpërndarë për Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, ndërsa pezullimi i mjeteve do të qëndrojë deri në një njoftim të dytë. Udhëzimi, gjithashtu, sqaron se personat që e disponojnë një mjet të tillë duhet të paraqiten në Ministrinë e Brendshme për veprime të mëtejshme. 'Zbatim të shkresës së Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj 'Mbi pezullimin e dhënies së autorizimeve për mjet të blinduar'.
Me përmbajtjen e saj njihen Shefat e Sektorëve të Policisë Rrugore pranë DVP, si dhe Shefi i Sektorit të rendit dhe Shefi i komisariatit rajonal të policisë rrugore në DVP Tiranë, me qëllim zbatimin në praktikë të detyrimit për pezullim/ndërprerjen deri në një njoftim të dytë, të të gjithë procedurave administrative në lidhje me lëshimin e autorizimeve për targimin dhe qarkullimin e mjeteve të blinduara në pronësi/përdorim të personave fizik.
Deri në ndryshimin e aktit normativ ekzistues, edhe nëse ndonjë shtetas disponon një kontratë të rregullt ligjore si pronar i mjetit të blinduar dhe ata që aktualisht disponon një targë të rregullt të regjistrua të mjetit të blinduar nuk do të pajiset me autorizimin për targimin e tij apo autorizim të posaçëm për qarkullim deri në një njoftim të dytë. Për rrjedhojë nuk do të lejohen të qarkullojnë', shkruhet në deklaratën drejtuar Drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor./Burimi: Shqiptarja.com