Secondary Adv

Eurobondi ne test per here te katert: Deshton dy here tenderi per konsulentin

Në dhjetor 2019 dhe janar 2020 qeveria hapi tender për gjetjen e konsulentëve që do ta udhëheqin atë, në rrugëtimin e daljes në tregjet e kapitalit për herë të katërt. 

 

Të dy procedurat kanë dështuar dhe autoriteti kontraktor i ka anuluar pasi ka pasur pjesëmarrje të vetëm një kompanie. E teksa pjesa më e vështirë duhet të ishte emetimi i Eurobondit 600 milionë euro, duket se për qeverinë më e vështirë po rezulton të gjejë konsulentin. Pavarësisht kësaj, nëse kalohen të gjitha problematikat dhe hallkat procedurale duke emetuar me sukses eurobondin 600 milionë euro, shuma e borxhit të huaj të Shqipërisë në këtë formë, do të arrinte 1.15 miliardë euro. Por për çfarë do të përdoren paratë? Shqipëria pritet të testojë daljen e saj në tregjet ndërkombëtarë të kapitalit për herë të katërt këtë vit. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në fund të 2019-ës hapi një procedurë ku kërkonte konsulentët që do ta asistonin atë në proces, e cila u anulua dhe u rihap sërish në fillim të këtij viti. 

 

Sot kjo procedurë rezulton e anuluar sërish. Pavarësisht kësaj situate, qeveria nuk pritet të tërhiqet nga dalja në tregjet e kapitalit. Ministria e Financave ka deklaruar zyrtarisht se do të kërkojë të paktën 600 milionë euro, ndërkohë që synohet që të zgjatet afati i maturimit nga 7 -10 vjet. Tendenca vit pas viti ka qenë pikërisht zgjatja në kohë e afatit të maturimit të Eurobondeve dhe shifrat tregojnë se i fundit, ai i vitit 2018 ishte me afatin më të gjatë, plot 7 vjet. Synimi i Shqipërisë është që të shkojë në një afat 10 vjeçar, me terma më të favorshme financiarë, e që ushtron më pak presion në portofolin e përgjithshëm të borxhit të qeverisë. Nga ana tjetër, dalja këtë vit në treg lidhet ngushtë me rifinacimin e eurobondit të vitit 2015 dhe rindërtimin. 

 

Dështon dy herë tenderi për konsulentin, s’ka kompani të interesuara

Kompanitë konsulente në proceset e daljes në tregjet e kapitalit janë hallka kyçe e suksesit të procesit për vendet që duan të emetojnë një Eurobond. Konkretisht, konsulenti në rastin e Shqipërisë sipas kërkesave të Ministrisë së Financave, duhet të ofrojë rishikimin e çështjeve ligjore dhe rregullatore. Kjo do të thotë që duhet të ofrojë këshillimi mbi ligjin e bursës si edhe mbi rregullore të tjera të zbatueshme lokale dhe tatimore (në bashkëpunim me këshillues vendas), mbi çështjet e emetimeve ndërkombëtare të bondeve nga entitete sovrane. Po kështu duhet të japë asistencë gjatë procesit të Due Dilligence, i cili konsiston në verifikimin e saktësisë së informacionit të përfshirë në dokumentet e ofertës. 

 

Duhet të bëjë përcaktimin e afateve kohore me Republikën e Shqipërisë, dhe me bankat që veprojnë si menaxhere-udhëheqëse (Joint Lead Manager) në përcaktimin e kohës së transaksionit, duke marrë parasysh kushtet e tregjeve ndërkombëtare të kapitalit dhe strukturën e emetimit. Në finale, konsulenti përgatit edhe dokumentacionin e ofertave. Pra, udhëheq në hartimin e një prospektusi lidhur me transaksionin, përfshirë informacionin përshkrues të vendit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e tregut për emetimet e bondeve qeveritare. Bën ndjekjen e seancave të hartimit të dokumentit si edhe përgatitja e draft prospektusit të rishikuar. 

 

Po kështu bën rishikimin dhe negocimin në emër të Republikës së Shqipërisë të termave të “letrës së mandatimit” me bankat menaxhere-udhëheqëse (Joint Leed Manager) e një sërë procesesh të lidhura me këtë fazë. Listës së detyrave të konsulentit i shtohet edhe përfundimi i dokumentacionit, si dhe hedhja e bondeve në treg dhe mbyllja e ofertës bashkë me listimin në bursë. Për këtë proces, Financat në të dyja rastet kishin vendosur një fond limit mbi 23 milionë lekë por që interesi ka munguar. Në procedurën e mëparshme, të hapur në dhjetor dhe të mbyllur pa një fitues, ministria deklaroi gjatë rishpalljes në janar arsyen e kësaj gare të dytë. “Kjo procedurë rezulton e rishpallur, konkretisht me referencë të procedurës së anuluar REF- 46148-12-13-2019, për shkak se nuk është plotësuar kriteri i pjesëmarrjes. 

 

Konkretisht në procedurën e prokurimit me objekt ‘Shërbim i konsulencës ligjore për Eurobondin’ me REF- 46148-12-13-2019 ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, duke e bërë të pasuksesshme procedurën e prokurimit e cila për tu konsideruar e suksesshme kërkon minimalisht dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës në garë” thuhet në dokument. Në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik edhe procedura e dytë, e shpallur në datë 13 janar, me afat mbyllje në 28 janar 2020, rezulton e anuluar dhe tek shkaqet sqarohet shkurtimisht arsyeja e anulimit. “Për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit, duke respektuar parimet e barazisë dhe të transparencës, sipas përcaktimit në rregullat e prokurimit publik” thuhet në faqen e APP./Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat