Secondary Adv

Tirana me rritjen me te madhe te turizmit ne 2019- Veliaj: Me shume turiste se banore

Tirana është qyteti me rritjen më të madhe të turizmit, me 35% gjatë 2019, me më shumë turistë që vizituan kryeqytetin sesa banorë, deklaroi sot kryetari i bashkisë.

 

Në Ditën Ndërkombëtare të Guidave, Veliaj u takua me përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të guidave turistike, me të cilët ndau ambicien për ta kthyer turizmin në një pjesë të qenësishme të ekonomisë së Tiranës.“Thyerja e këtij rekordi na bën jashtëzakonisht optimistë. Tirana sot renditet në një nga qytetet kryesore për “city break”, pra një pushim qytetas, jo plazhi, jo mali, pra jo të një jete rurale, por të një 3-ditëshi, që ndryshe quhet edhe si fundjavë e gjatë. Një nga gjërat që duam të bëjmë për të ndihmuar guidat është shtimi i ‘menusë’, ndaj në këto 5 vite jemi përpjekur të shtojmë pikat turistike”, shpjegoi Veliaj. Ai tha se, “secili prej nesh e ka mision të jetë një zëdhënës i mirë i vendit të tij sepse në këtë mënyrë ndihmon edhe ekonominë”. 

 

“Për të gjithë ata që sot thonë ‘na mbyti betoni’, u them: dakord, kthehu nga ke ardhur dhe liroje shtëpinë tënde për dikë që do të vijë në Tiranë, ose bëj atë që thua! Na mbytën kullat?! Mirë, dil vullnetar dhe shko jeto poshtë një ure, liroje hapësirën te kulla jote”, tha Veliaj, duke shtuar se ky qytet është i destinuar të rritet. Mund të bëhemi populistë, mund të përdorim emocionet e njerëzve për lajme të rreme e panik, por fati i këtij qyteti është të rritet”, sqaroi ai. Duke folur me udhërrëfyes të guidave vendore dhe kombëtare, kryebashkiaku u shpreh se ky qytet i ka të gjitha mundësitë që falë punës të ecë përpara. “Është fatkeqësi që viti 2020 akoma ka njerëz që shajnë Shqipërinë dhe thonë ky vend s’bëhet! Unë jam një besimtar i fortë se po t’i përveshim mëngët si në këto 5 vjet, nuk do kishim asgjë mangët. 

 

Duke sjellë shembullin e suksesshëm të transformimit të Pazarit të ri, Kalasë dhe të ngritjes së disa muzeve, si “Studio Kadare”, “Muzeu i gjetheve” apo “Bunk’art”, Veliaj apeloi për të lënë pas betejat politike dhe për t’u fokusuar te zhvillimi. “Më vjen keq pse për të bërë punë të bukura, duhet kaq shumë stres. Mbaj mend kur filluam punën te Kalaja, thanë: Po prishet trashëgimia! U thashë: Cila trashëgimi? Se ne po heqim ferrat. Ndaj, vjen një moment kur duhet t’i lëmë politikën, partitë, histeritë, këto çudirat shqiptare dhe të themi: A ka mundësi të vëmë dorë dhe të rregullojmë sa më shumë hapësira të tilla?

 

Unë mezi pres që ta kemi më në fund turizmin si një pjesë të qenësishme të ekonomisë së Tiranës. Potenciali ynë i rritjes është te turizmi”, u shpreh ai. Vetëm për vitin 2022, ku Tirana do jetë Kryeqyteti Europian i Rinisë, do të organizohen mbi 1000 aktivitete të ndryshme, duke sjellë të ardhura të konsiderueshme edhe në fushën e turizmit. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe nxënës të shkollës “Dora d’Istria” në kryeqytet, të cilët kanë qenë pjesë e disa tureve të organizuara nga Bashkia e Tiranës për guidat turistike./Burimi: ata


Më të lexuarat