Secondary Adv

Borxhi i jashtem i paterhequr i qeverise: Arrin ne 930 milione euro ne 2019

Qeveria ka marrë hua të buta deri në 880 mln euro nga donatorët, por nga ana tjetër në bilancet e qeverisë janë 930 mln euro borxhe të nënshkruara dhe të patërhequra.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave borxhi i jashtëm i pasdisbursuar arriti në 930 milionë euro me rënie 40 milionë eurosh në raport me tremujorin e dytë te 2019. Ministria e Financave shpjegon se balanca e patërhequr përfaqëson fondet e angazhuara nga kreditori, por ende të papërdorura nga huamarrësi. Rreth 341 milionë euro, ose 36 për qind  e totalit të borxhit të padisbursuar janë kredi dypalëshe, ndërsa 548 milionë euro ose 59 për qind janë hua shumëpalëshe me banka ndërkombëtare dhe pjesa tjetër janë kreditorë privatë. Përgjatë dekadës borxhi i nënshkruar, por i padisbursuar arriti kulmin në vitin 2015 me rreth 1,2 miliardë euro. 70 për qind të borxhit dypalësh të nënshkruar, por të patërhequr e ka Gjermania.   

 

Aktualisht qeveria shqiptare kanë të nënshkruar me qeverinë gjermane 243 milionë euro kredi të cilat ende nuk janë tërhequr. Kreditori i dytë më i madh është qeveria italiane me 56,8 milionë euro hua të nënshkruara me Shqipërinë, të cilat ende nuk janë disbursuar, e ndjekur nga Japonia dhe Kuvajti përkatësisht me 22 dhe 23 milionë euro. Në borxhin shumëpalësh të nënshkruar dhe të patërhequr, kreditori më i madh është IBRD me 273 milionë euro ose 50 për qind të borxhit shumëpalësh, e ndjekur nga EBRD me 178 milionë euro, IBD me 48 milionë euro dhe EIB me 35,7 milionë euro. Borxhi i nënshkruar dhe i patërhequr i Shqipërisë në fund të tremujorit të tretë të vitit 2019 ishte sa 21 për qind e borxhit neto të vendit.

 

Borxhi dy palësh jepet për financimin e projekteve të negociuara paraprakisht dhe ka interesa më të ulta dhe afate me të gjata maturimi se borxhi që merret nga bankat ndërkombëtare. Pavarësisht shumave të mëdha të borxhit të nënshkruar dhe të patërhequr qeveria shqiptare i ka kufizuar disbursimet për shkak përcaktimeve ligjore që kërkojnë uljen e borxhit publik në total. Në konferencën e donatorëve të zhvilluar të Bruksel pak ditë më parë, Shqipëria arriti të angazhojë 1.15 miliardë euro, nga të cilat mbi 850 milionë euro ishin kredi me terma të butë./Burimi: Monitor


Më të lexuarat