Secondary Adv

Norma e hapjes se bizneseve te reja: Shqiperia rekord per numrin me te larte ne Europe

Shqipëria mban rekord për normën e lindjeve të bizneseve të reja në Europë. 

 

Sipas përllogaritjeve të Monitor në vitin 2017 (vit i fundit me të dhëna të përditësuara për të gjitha shtetet e BE-së) norma e lindjeve të bizneseve të reja ishte 23.1%. Ky tregues përllogaritet si raport i bizneseve të reja të regjistruara në një vit ndaj numrit total të bizneseve aktive në një vend. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit në vitin 2017 janë regjistruar 24,924 biznese të reja, ndërsa numri në total i ndërmarrjeve aktive ishte 107,677. Megjithatë viti 2018 nuk ishte pozitiv për sa i përket normës së lindjeve të bizneseve të reja, i cili shënoi rënie. 

 

Sipas të dhënave të QKB-së gjatë 2019-s janë regjistruar 20,279 biznese të reja, ndërsa sipas Anketës Strukturore të ndërmarrjeve në po të njëjtin vit numri i ndërmarrjeve aktive ishte 107,677, të dy këto tregues më rënie në krahasim me një vit më parë. Norma e lindjes së bizneseve të reja në 2018-n ishte 18.8%. Përgjithësisht, ekonomitë në zhvillim kanë një normë të lartë të hapjes së bizneseve të reja, sidomos në Shqipëri, që mban rekord për numrin e lartë të bar-kafeve apo njësive të vogla të tregtimit me pakicë në ushqime, apo veshje e këpucë, ndonëse vitet e fundit ato po konkurrohen nga qendrat tregtare dhe zinxhirët e supermarketeve.

 

Shqipëria e para në Europë për lindjen e e bizneseve të reja

Për vitin 2017, Shqipëria ka normën më të lartë të çeljeve të bizneseve të reja. Në 2017-n, numri i çeljes së sipërmarrjeve të reja në Bashkimin Europian (BE), si përqindje ndaj numrit total të sipërmarrjeve aktive ishte 9.3%. Kjo normë nuk pati ndryshime në krahasim me vitin 2016, por gjithsesi qëndronte në një normë më të lartë se në vitin 2012, ku sipas Eurostat norma e lindjes së bizneseve të reja ishte 9%. Punësimi i gjeneruar prej këtyre ndërmarrjeve të reja ishte 2.4% e totalit të të punësuarve në Bashkimin Europian në vitin 2017. Një normë e cila varionte nga 5.2% në Portugali në 1.2% në Gjermani dhe Holandë. 

 

Norma e lindjes së sipërmarrjeve të reja më e lartë në Lituani dhe më e ulët në Greqi

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat ndër vendet anëtare të BE-së, norma më e lartë e lindjeve të bizneseve të reja ishte në Lituani me 19.7%, e ndjekur nga Portugalia me 15.8%, Sllovakia me 13.7%, Hungaria me 12.9% dhe Letonia me 12.4%. mNga ana tjetër normat më të ulëta janë vënë re në Greqi me 4.5%, ndjekur nga Belgjika me 6.4%, Suedia me 6.6%, Austria dhe Gjermania me respektivisht 6.8%. 

 

Norma e lindjeve të sipërmarrjeve rritet në Finlandë, ulet në Maltë

Sipas Eurostat, në krahasim me vitin 2016, rritjet më të mëdha në normën e lindjeve të sipërmarrjeve të reja janë regjistruar në Finlandë, me një rritje prej 2.9 pikë përqindje, e ndjekur nga Sllovakia më 2.7 pikë përqindje, Hungaria me 2.1 pikë përqindje, Estonia me 1.2 pikë përqindje dhe Lituania 0.9 pikë përqindje. Nga ana tjetër vendet që kanë shënuar rënie të normës së lindjeve të bizneseve të reja janë Malta me -6.1 pikë përqindje, Letonia me -3.8 pikë përqindje, Spanjë me -0.9 pikë përqindje, Bullgaria dhe Italia me respektivisht -0.5 pikë përqindje, si dhe Austri së bashku me Suedinë me -0.4 pikë përqindje./Burimi: Monitor.al 


Më të lexuarat