Viti 2020 nis pozitivisht per turizmin: Numri i vizitoreve te huaj u rrit ne Janar
Instituti i Statistikave raporton se në janar Shqipërinë e vizituan rreth 250 mijë shtetas të huaj, në rritje me 19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Turizmi vazhdon të dominohet nga vizitorët e vendeve fqinje. Për janarin, 75% e vizitorëve të huaj erdhën nga vendet me të cilët Shqipëria ka kufij tokësorë. Jashtë rajonit, rritje të ndjeshme regjistroi numri i vizitorëve nga Polonia, Anglia dhe Spanja. Turizmi po regjistron prej vitesh një tendencë pozitive, e shprehur në rritje të numrit të turistëve dhe të kontributit të këtij sektori në ekonomi. Vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 6.4 milionë shtetas të huaj, numri më i lartë vjetor i vizitorëve të huaj i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, të ardhurat në bilancin e pagesave në zërin “udhëtime” vetëm për 9-mujorin e vitit 2019 kishin vlerën e 1.64 miliardë eurove.
Megjithatë, kjo shifër përfshin shpenzimet e kryera gjatë udhëtimeve në Shqipëri nga të gjithë vizitorët, duke përfshirë këtu edhe emigrantët shqiptarë. Të dhënat e janarit dëshmojnë se turizmi mund të jetë i orientuar drejt një tjetër viti në rritje, megjithatë shqetësimet në rritje për përhapjen e koronavirusit në Europë mund të frenojnë përkohësisht lëvizjet e shtetasve. Në varësi të kohëzgjatjes, ky fenomen mund të prekë edhe ecurinë e turizmit hyrës dhe dalës nga Shqipëria./Burimi: SCAN